Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq nuk i ka miratuar amendamentet e Ligjit mbi liritë fetare, ligj ky që është kritikuar nga serbët etnikë dhe Kisha Ortodokse Serbe.
Qeveria dhe presidenti i Malit të Zi ka mundësi të hyjnë në një konflikt që mund të çojë në shkarkimin e Gjukanoviçit.
Presidenti malazez nuk miratoi amendamentet e Ligjit mbi liritë fetare ndërsa zv/kryeministri Dritan Abazoviç paralajmëroi se nëse Gjukanoviç “shkel Kushtetutën, do ta zëvendësojmë atë”.
Sipas Ligjit për liritë fetare, që është miratuar vitin e kaluar, komunitetet fetare duhet të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918. Nëse nuk e bëjnë këtë, pronat e tyre i kalojnë shtetit. Por kjo pikë ngjalli protesta nga Kisha Ortodokse e vendit.
Qeveria e re, që doli pas zgjedhjeve të gushtit, ka thënë se do ta ndryshojë ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës.
Në total, 41 deputetë të koalicioni qeverisës, që përbëhet nga partitë pro-serbe, kanë mbështetur amendamentet e Ligjit më 29 dhjetor, 2020. Opozita ka bojkotuar votimin e këtyre amendamenteve.
Zyra e presidentit ka thënë se është e paqartë nëse numri i nevojshëm i ligjvënësve ishte i pranishëm në parlament gjatë votimit.
Reagim ka patur edhe nga, kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç i cili ka shkruar në Twitter se ky “gjest i njeriut të parë të shtetit tregon më së miri se si funksionon bashkëjetesa në praktikë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



