Biznes

Ligji i ri njeh të drejtat e konsumatorëve shqiptarë/ Çmime të afishuara për çdo produkt që shitet fizikisht apo online!

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqiptarët nuk do të përballen më me pikëpyetje mbi çmimet e produkteve dhe shërbimeve që ata blejnë.

Projektligji i ri i ministrisë së Ekonomisë vendos detyrim për çdo biznes afishimin e çmimeve në paketim sipas sasisë, por edhe për njësi, shprehur vetëm në lekë. Nëse shërbimi përbëhet nga disa pjesë të ndryshme e të veçanta, jepen çmimi i secilës prej tyre dhe çmimi përfundimtar. Nëse në çastin e lidhjes së kontratës nuk është dhënë ende çmimi përfundimtar, ofruesi i shërbimit është i detyruar të tregojë metodën e përllogaritjes së tij.

Duke përfshirë edhe tregtinë online, projektligji detyron shitësit të japin çdo informacion mbi produktin, nga prodhimi, riparimi, rezistenca, qëndrueshmërinë dhe të të drejtat e anulimit apo kthimit.

Drafti adreson edhe praktikat e ndaluara të tregtisë që njihen si praktika tregtare agresive, ku bëjnë pjesë edhe telefonatat apo mesazhet telefonike, elektronike kundrejt klientit, përveç rasteve që lidhen me detyrimet kontraktore. Praktikë agresive quhen edhe reklamat që i drejtohen fëmijëve për të blerë apo për të bindur prindërit e tyre të bëjnë një blerje.

Konsumatori ka 14 ditë kohë të heqë dorë nga një kontratë blerje, por në rast se shitësit nuk e ofrojnë këtë informacion, konsumatorit i jepen 12 muaj kohë për të hequr dorë. Tregtari i rimburson të gjitha pagesat e marra nga konsumatori, duke përfshirë, nëse është rasti, kostot e dorëzimit.

Në varësi të shkeljeve, gjobat për subjektet tregtare nisin nga 100 mijë lekë deri në 200 mln lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë