Nga Gazeta Si- Çdo individ që hedh, gropos, djeg, braktis, depoziton apo asgjëson mbetje të formë të pakontrolluar do të gjobitet. Në projektligjin e nxjerrë për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, parashikohen për herë të parë masa për kundërvajtjet e kryera nga individë, gjë e cila mungon në legjislacionin aktual.
Në ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, është shtuar për herë të parë edhe termi “individ” për shkelje ligjore që lidhen me asgjësimin e mbetjeve.
Projektiligji i parashikon rritjen e masës së gjobave për kundravajtjet administrative për menaxhimin e integruar të mbetjeve me 30% të vlerës së gjobës. Qytetarët, të cilët hedhin, groposin, djegin apo asgjësojnë në mënyrë të pakontrolluar mbetje do të dënohen me gjoba që fillojnë nga 65 mijë lekë.
Paralelisht, sikurse është parashikuar në draftin e nxjerrë për konsultim publik së fundmi, në lidhje me ndotjen e ajrit, edhe në këtë rast gjoba do të konsiderohet si titull ekzekutiv, ku me përfundimin e shqyrtimit të ankimit administrativ do ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e saj.
Në relacionin shoqërues, ministria e argumenton përfshirjen e qytetarëve me kërkesën për angazhimin e gjithësecilit për sigurimin e menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe eleminimin e keqmenaxhimit të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.