Partia Socialiste ka mbyllur projektligjin (me 45 nene) për Presidentin që nuk është aq më shumë e as më pak se një “zgjidhje” që ajo iu ka dhënë gjithë problematikës dhe përplasjeve që kjo mazhorancë ka pasur me Presidentin që nga kërkesa për shkarkimin e tij, dekretet e nxjerra, falja, dhënia e shtetësisë, dhënia e dekoratave, zgjedhja e organeve të reja kushtetuese, a duhet të betohet anëtari i Kushtetueses kur nuk merr pëlqimin e Presidentit, kur duhet të shpërndajë Presidenti Kuvendin, kur duhet të dekretojë zgjedhjet dhe qershia mbi tortë Kuvendi i ardhshëm vendos vetë për kryeministrin pas zgjedhjeve të 25 Prillit në rast se Presidenti nuk e ushtron këtë funksion.
Me pak fjalë një ligj për të cilin Presidenti i Republikës për çdo firmë të tij do të ketë një kundërfirmë, (jo nga Kuvendi me rrëzim dekreti ose jo) por nga një organ i caktuar në varësi të dekretit.
Zgjedhja e Kryeministrit
Një nen me 10 pika është parashikuar në ligjin e ri organik për emërimin e kryeministrit pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Për herë të parë ligji përfshin zgjedhjen e kryeministrit nga Kuvendi i ardhshëm në rast se Presidenti nuk e dekreton.
Pas një procedurë të gjatë me tre etapa, ligji parashikon se në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi.
Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin pasues të Kryeministrit, brenda 10 ditëve nga zgjedhja, atëherë Kryeministri i zgjedhur i paraqet Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.
Kryeministri, zëvendeskryeministri dhe ministrat e miratuar bëjnë gjithashtu betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.
Gjyqësori
Edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që janë emërtesë e Presidentit të Republikës emërohen në detyrë me dekret, brenda afateve të përcaktuara nga ligji përkatës. Por dekreti mund të kundërfirmohet, sipas rastit, nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ose nga Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit për gjyqtar të Gjykatës së Lartë
humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Për gjyqtarët dhe konkretisht ato të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës është i detyruar të organizojë ceremoninë e betimit, pavarësisht nëse jep apo jo pëlqimin për ta.
Fajla
Edhe falja që jepet nga Presidenti i Republikës me dekret, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, brenda 30 ditëve nga marrja e propozimit mund të kundërfirmohet nga ministri propozues.
Kërkesat për falje dënimi, për të cilat Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë kanë gjykim të kundërt dhe që nuk dekretohen brenda afatit quhen të rrëzuara.
Edhe për shtetësinë dekreti kundërfirmohet nga ministri propozues.
Dekoratat dhe titujt e nderit
Dekoratat dhe titujt e nderit jepen nga Presidenti i Republikës me dekret, me propozim të organeve të përcaktuara me ligj. Dekreti gjithashtu kundërfirmohet nga organi propozues.
Propozimet për dhënien e dekoratave apo titujve, për të cilat Presidenti i Republikës dhe organi propozues kanë gjykim të kundërt quhen të rrëzuara
Shkarkimi i Presidentit
Edhe për shkarkimin e Presidentit ka një procedurë të gjatë por shume të thjeshtë për ta shkarkuar nga ajo që parashikon Kushtetuta. Në një nga nenet e ligjit thuhet se, konstatimi i pamundësisë bëhet sipas rastit dhe rrethanave nga Zonja e Parë, drejtori i kabinetit të Presidentit ose sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Kryeministri, Ministri i Brendshëm ose i Shëndetësisë, si dhe nga çdo kryetar grupi parlamentar, të cilët vënë në dijeni Kuvendin menjëherë.
Për deklarimin e pamundësisë së përkohshme apo afatgjatë, Kuvendi ngre komision hetimor me detyrën për të shqyrtuar dhe vërtetuar rrethanat e rastit të pamundësisë. Kur pamundësia konstatohet për motive shëndetësore, atëherë komisioni hetimor cakton jo më pak se 5 mjekë, specialistë në fushën përkatëse mjekësore, për t’u shprehur për gjendjen shëndetësore të Presidentit.
Data e zgjedhjeve
Në rast se mungon konsensusi mes partive, atëherë Presidenti i Republikës është i detyruar të caktojë datën e zgjedhjeve, sipas propozimit të partisë apo partive që mbajnë numrin më të madh të mandateve parlamentare.
Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve në afatin e përcaktuar nga legjislacioni zgjedhor ose e nxjerr atë në kundërshtim me procedurën sipas këtij neni, atëherë data e zgjedhjeve caktohet nga Kuvendi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




