Politike

Ligji i Luftës dhe Çështja e Detit, a do të na bllokojë sërish Greqia me veto në Bruksel? Përgjigjet Hasani

Nga Gazeta 'Si' - Çelja e kapitullit të parë të negociatave me Bashkimin Europian u bllokua nga Greqia vitin e shkuar, me Athinë zyrtare që përdori veton në kulmin e tensioneve me Tiranën për shkak të çështjes “Beleri”.

I pyetur nëse vetoja greke do të mbajë peng edhe këtë vit rrugëtimin europian të Shqipërisë, ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se ka negociata diskrete me Athinën për të parandaluar diçka të tillë.

“Me Greqinë angazhimi ka qenë konstant, me autoritetet greke për çështjen e hapjes së kapitullit të parë. Ka qenë një angazhim diskret, jo me deklarata dhe telefonata”, tha kryediplomati i Tiranës.

Hasani komentoi më tej edhe përplasjet që bllokuan Shqipërinë dhjetorin e shkuar në Bruksel, duke lënë të kuptohet se akujt me Greqinë kanë nisur të shkrijnë.

“Në historinë e dy popujve, dy prej realiteteve më të vjetra në rajon një individ nuk mund të prish një marrëdhënie shumë shekullore dhe ne jemi në këtë fazë ku vlerësojmë maksimalisht fqinjët tanë historikë që janë Greqia, Italia dhe Turqia. Patjetër që mos të harrojmë sa shumë ka ndodhur dhe është bërë mes Shqipërisë dhe Greqisë, me momente të vështira dhe të tjera shumë të mira. Dy popujt janë shumë afër dhe do vazhdojnë të jenë shumë afër dhe rrugëtimin evropian ne e shohim edhe me shtetin e Greqisë”, deklaroi kreu i MEPJ.

Sa i përket çështjes së Detit dhe diskutimeve dypalëshe për ta dërguar në Gjykatën e Hagës, Hasani shpjegoi se nuk ka zhvillime të reja në këtë drejtim. Ministri nënvizoi se në negociatat me Greqinë për një mori temash, vëmendjen e ka marrë rrugëtimi europian i Shqipërisë.

“Kemi disa dosje që duhet të punojmë. Duhet të maksimalizojmë aty ku rezultatet janë më konkrete dhe duhet të shtyjmë ku interesat janë më të menjëhershme dhe gjëja më e rëndësishme në këtë drejtim është verifikimi i datës për konferencën e dytë ndërqeveritare që i hap rrugën Shqipërisë për t’u bërë sa më shpejt pjesë e BE-së”, sqaroi Hasani.

Në fund ministri i Jashtëm vlerësoi votimin me 96 vota pro nga demokratë e socialistë të deklaratës së përbashkët, të iniciuar nga PDIU e Shpëtim Idrizit ku i kërkon qeverisë të rrisë përpjekjet me Greqinë për të hequr ligjin e luftës.

Hasani tha se ky është një hap i rëndësishëm që tregon se Tirana i shtriu dorën Athinës për të gjetur një zgjidhje mbi këtë çështje.

“Kuvendi me një iniciativë të disa deputetëve tashmë i ka ofruar Shqipërisë dhe Greqisë një dokument që shtrin dorën për të fillua për të menduar edhe njëherë këtë çështje të rëndësishme. Mendoj që rëndësia që dy vendet tona ka, duhet të kapërcejë çdo pengesë dhe të shkojmë përpara duke u bërë së bashku anëtar të BE-së pa hije të së shkuarës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë