Futboll

Ligji “Beckham” dhe në Itali, strategji për të joshur yjet

Prej vitesh drejtuesit e klubeve të futbollit në Itali kanë sjellë në vëmendje ndihmën që shteti spanjoll i jep futbollit në këtë vend. Dhe ndër argumentet më të përfolur është i ashtuquajturi ligji “Beckham”, që ka të bëjë me uljen e taksave për futbollistët që vijnë nga jashtë. Në Spanjë u aplikua ky ligj kur ylli anglez kaloi nga Mançester Junajtid te Reali i Madridit dhe shteti spanjoll në atë kohë ndërhyri për të ndihmuar klubet për përballimin e pagës neto të futbollistëve të huaj që blinin, pra për të favorizuar ardhjen e tyre në La Liga.

Tani ligji “Beckham” do të aplikohet edhe në Itali. Është e njëjta strategji si në Spanjë dhe i njëjti qëllim: joshja e yjeve të futbollit botëror për të luajtur në Serinë A. “Norma e re është bombë”, - janë shprehur avokatët Tomasini dhe Longo, specialistë të kësaj fushe, duke iu referuar pikërisht ligjit për taksat e reja për futbollistët e huaj që vijnë në Itali, apo edhe për italianët që rikthehen. Tani e tutje do të ketë lehtësira fiskale për futbollistët profesionistë, trajnerët, drejtorët sportivë dhe përgatitësit atletikë, të cilët kanë punuar jashtë Italisë për dy vitet e fundit dhe tashmë kanë vendosur të jenë rezidentë në këtë vend. Ata mund të jenë të huaj, por edhe italianë dhe do të taksohen me 50% të normës së përgjithshme. Në fakt, ligji i ri është edhe më i favorshëm për punëtorët e tjerë, të cilët do të taksohen në masën 30%, por Parlamenti në Itali nuk mund të linte jashtë vëmendje edhe botën aq të adhuruar të futbollit.

Diego Godin, një nga blerjet e Interit që vjen nga jashtë Italisë

Me ligjin e ri, nëse një futbollist profesionist transferohet në Itali këtë verë, klubi që e blen do ta ketë më të lehtë për të përballuar pagën e tij. Për shembull, nëse ai do të paguhet 2 milionë euro në vit, klubi përfiton nga taksimi i ulët dhe paga e këtij lojtari i kushton 2.54 milionë euro në vit bashkë me taksat dhe jo 3.5 milionë euro sa i kushtonte më parë. E thënë thjesht, deri tani një klub italian paguante gati dyfishin e shumës që hynte në xhepat e futbollistit. Tani, me uljen e normës, me siguri klubet italiane do të kenë më shumë mundësi për të bërë blerje të rëndësishme. Serie A do të jetë më joshëse për ata futbollistë që vitet e fundit kanë luajtur në vende të tjera.

Shembulli i fundit është Mathijs De Ligt, mbrojtësi holandez që kërkohej nga klubet më të mëdha në Europë, por firmosi për Juventusin. Ai ka një pagë neto prej 8 milionë eurosh në vit dhe më këtë shifër Juventusit do t’i takonte të paguante rreth 14 milionë euro për të, por do të paguajë 10.1 milionë euro. “Decreto Crescita” (dekreti i rritjes), siç është quajtur ligji i ri, i ka kursyer klubit të Juventusit 3.9 milionë euro në këtë rast. Dhe në të ardhmen pritet që rrugën e De Ligt ta ndjekin edhe shumë yje të tjerë të futbollit botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë