Gazeta Si – Tri nga katër skuadrat shqiptare pjesëmarrëse në Kupat e Europës zbresin sot sërish në fushë. Luhet Liga e Konferencës. Me Partizanin në shtëpi, të eliminuar që në turin e parë, Tirana, Vllaznia dhe Laçi kanë një shans për të përmirësuar imazhin e futbollit shqiptar në Europë.
Laçi në fakt e ka bërë të vetën. Kaloi turin e parë ndaj Iskrës së Malit të Zi, barazoi me 10 lojtarë në ndeshjen e parë në Moldavi ndaj Petrokub dhe mbrëmjen e sotme mund ta shohë veten në turin e tretë të Ligës së Europës. Skuadra e Duros është në formë dhe premton një tjetër sukses.

Vllaznia barazoi 1-1 në Shkodër një javë më parë ndaj rumunëve të Universitatea Kraiovës. Është në lojë për kualifikimin, por kuptohet që rumunët janë të favorizuar, sepse luajnë në fushën e tyre. Në “Loro Boriçi” ishin ata që dominuan, por edhe Vllaznia dha disa shkëndija.
Eliminimi që në duelin e parë europian do të ishte dështim për Vllazninë. Trajneri Mirel Josa dhe të tijtë kanë punuar shumë këto ditë, duke shpresuar se në Rumani do të bëjnë surprizën.
Tirana u eliminua nga Liga e Kampionëve që në turin e parë, por formati aktual i kompeticioneve europiane i jep të drejtë të luajë në Ligën e Konferencës. Është mundur në të trija ndeshjet që ka luajtur deri tani, dy herë nga Dudelange dhe në ndeshjen e parë nga Zrinjski.
Ndoshta ka ardhur momenti i kthesës. Në Bosnjë do të jetë e vështirë, por jo e pamundur për kampionët e Shqipërisë. Është momenti të tregojnë se janë vërtet të tillë, në të kundërt do të ishte një zhgënjim i madh, që mund të ketë edhe pasoja në kampin bardheblu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




