Maska, siguri maksimale, protesta dhe forca policie kudo nëpër qytet. Kjo është atmosfera me të cilët po përballet kombëtarja në Minsk përpara sfidës inauguruese të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Shqipëria pritet të luajë mes kaosit në Bjellorusi, shkaktuar nga protestat e opozitës kundër presidentit Lukashenko. Ndonëse vendasit refuzuan delegacionin e OSBE me në krye një shqiptar (kryeministrin Edi Rama), tashmë pritet të “përballen’’ me një delegacion shqiptar me në krye një italian.

Ndeshja e parë e kombëtares së futbollit të Shqipërisë do të luhet pa praninë e tifozëve, ku do të jenë të pranishëm vetëm lojtarët dhe stafi teknik i dy skuadrave që do të përballen në fushën e blertë. Kuqezinjtë shpresojnë në një fitore në Bjellorusi, çka do t’i jepte ekipit një frymë pozitive, përpara ndeshjes ndaj Lituanisë, e cila do të zhvillohet në Tiranë. Objektivi kryesor është qe kombëtarja të renditet e para në grup, për të rritur shanset e një kualifikimi të mundshëm për Euro 2024.
Forma- Për këto dy ndeshje, trajneri kishte grumbulluar 28 futbollistë. Problemet filluan që në start, pasi Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi nuk erdhën dot për shkak të rregullave të karantinës që ka përcaktuar shteti zvicerian. Më herët FSHF konfirmoi mungesën e Marash Kumbullës për këto ndeshje për shkak të një dëmtimi. Kësisoj, mbrojtësi është larguar nga grumbullimi pas marrjes së rezultateve mjekësore. Gjithashtu, për ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë nuk do të jetë i gatshëm Armando Broja, i cili është i skualifikuar për shkak të një kartoni të kuq të marrë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren U-19. Me shlyerjen e skualifikimit, sulmuesi i ri pritet të jetë nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja dhe i gatshëm për të luajtur për ndeshjen e dytë ndaj Lituanisë.

Dy mbrojtësit, Memolla dhe Ismajli, kanë ardhur të dëmtuar në këtë grumbullim dhe nuk ia kanë dalë të rekuperohen në kohë. Për fat të keq, një dëmtim në seancën e fundit stërvitore ka bërë që këtë transfertë ta humbasë edhe mesfushori Ylber Ramadani. Të tre lojtarët do të qëndrojnë në Shqipëri dhe do të vazhdojnë stërvitjen e diferencuar, në mënyrë që të rekuperohen në kohë për sfidën e dytë kundër Lituanisë. I vetmi lajm pozitiv është që të gjithë futbollistët që iu nënshtruan testit COVID-19, dolën negativë.

Formacioni- Trajneri Edi Reja po mendon për formacionin titullar dhe ka përcaktuar skemën me të cilën do të luajnë kuqezinjtë. Ekipi ynë do të luajë me një 4-5-2, ku mbrojtja është reparti që shqetëson më shumë. Strakosha preferohet në portë si titullar, ndërsa përpara tij do të luajnë 4 futbollistë që e njohin mirë stilin e lojës që do Reja. Gjimshiti dhe Dermaku do jenë në qendër, Veseli nga e majta, ndërsa kapiteni Hysaj nga krahu i djathtë.

Në mesfushë, pritet të luajnë Bare dhe Gjasula, ndërsa Laçi mund të jetë surpriza e madhe, pasi është në balotazh me Abrashin, ndërsa në krah do të jetë Roshi. Në sulm, Sadiku dhe Cikalleshi do të luajnë së bashku. Në dispozicion janë Manaj si dhe Balaj që ka shënuar 3 gola disa ditë më parë.
Formacioni: Strakosha, Hysaj, Gjimshiti, Dermaku, Veseli, Bare, Gjasula, Laçi (Abrashi), Roshi, Sadiku, Cikalleshi.
Historia e përplasjeve- (1 F, 2 B, 2H)

Me Bjellorusinë jemi ndeshur 5 herë, me statistikat që anojnë nga ana e bjellorusëve. Për herë të parë jemi përballë në eliminatoret e Euro 2008. Shqipëria që atëherë drejtohej nga kroati Otto Baric, ndeshjen e parë barazoi 2-2 jashtë, ndërsa ndeshjen e kthimit humbi 2-4, rezultat që shkaktoi polemika të mëdha në ambientet e sportit dhe jo vetëm.

Dy ndeshjet e tjera, ishin ato për eliminatoret e Euro 2012. Të parën e fituan bjellorusët me rezultatin 2-0, ndërsa në kthim kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje fantastike, ku golin e vetëm e realizoi Salihi. Përballja e fundit u zhvillua në Antalya, miqësore e përfunduar me rrjeta të paprekura.

Diferenca- Vlera e kombëtares sipas “Transfermarkt” është 101.83 mln euro, në raport me 11.8 të përfaqësueses bjelloruse. Një diferencë e madhe, teksa kuqezinjtë janë afërsisht 8.6 herë më të shtrenjtë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




