Futboll

Liga e Kombeve, Gjermania e Spanja premtojnë spektakël. Kosova luan në transfertën e Moldavisë

Mbrëmjen e sotme nis rrugëtimin edicioni i dytë i kompeticionit më të ri të organizuar nga UEFA, Liga e Kombeve. Ky edicion do të zhvillohet në shtator, tetor e nëntor 2020 dhe në mars të 2022 do të zhvillohet faza play-off të Qatar 2022, ku do të ‘’dhurohen’’ 4 biletat e fundit për në botërorin e ardhshëm.

Liga A nis me një super përballje. Në Mercedez Benz Arena në Stuttgart, Gjermania sfidon Spanjën. Dy prej superfuqive të futbollit europian do të përballen për herë të 24-t në histori, teksa bilanci aktual flet në favor të “pancerave” me 9 fitore, 7 barazime dhe 7 humbje, ndërsa ndeshja e fundit mes të dyjave ka qenë dy vite më parë në një miqësore që përfundoi me shifrat 1-1.

Trajneri gjerman Joakim Low ka lënë jashtë listës së të grumbulluarve një pjesë të mirë të futbollistëve të Bayernit, me arsyetimin se kanë nevojë për pushime, pasi u angazhuan në Champions. Në konferencën e ditës së djeshme trajnerin gjeramn konfirmoi portierin Kevin Trapp dhe anësorin e Atalantës Robin Gosens nga minuta e parë, ndërsa pjesën tjetër të formacionit e la enigmë. Nga ana tjetër Luis Enrique u shpreh mjaft i lumtur që do të rikthehet të drejtojë Spanjën në Ligën e Kombeve dhe paralajmëroi Gjermaninë se ata luajnë vetëm për fitore, pavarësisht kundërshtarit.

Liga B rezervon dy përballje të tjera interesante, Turqia përballë Hungarisë, si dhe Rusia, që ndeshet në shtëpi përballë Serbisë. Në grupin C, Kosova do të rikthehet sonte në fushë për të luajtur ndeshjen e parë të edicionit të dytë të këtij kompeticioni, përballë Moldavisë në transfertë. Për shkak se këta të fundit nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, është vendosur që përballja e mbrëmjes së sotme të luhet në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës, në Itali.

“Ndaj Moldavisë luajmë për fitore. Është një ndeshje e rëndësishme dhe si e tillë është e qartë se luajmë gjithmonë për fitore. Pa dyshim është një test i mirë për ne, prandaj është e rëndësishme që përveç lojës së mirë edhe të fitojmë. 7 lojtarë iu bashkuan skuadrës vetëm një ditë para ndeshjes dhe natyrisht se para një ndeshjeje të tillë nuk është mënyra më e mirë që të kesh vetëm një seancë stërvitore me ekipin, por kjo është gjendja. Gjithçka në këto rrethana është ndryshe, prandaj duhet të bëjmë më të mirën në kushtet dhe situatën që ndodhemi. Është e qartë se ka dallime në formën e lojtarëve, por po e përshtatim punën për secilin prej tyre”, u shpreh trajneri Shaland.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë