Futboll

Liga e Kampionëve 2022/23, Siti kuotohet si favoriti kryesor

Gazeta Si – Liga e Kampionëve 2022/23 ka nisur tashmë me turet paraeliminatore. Në këtë tur kanë marrë pjesë 4 skuadra të kampionateve të vogla, Inter Eskaldes, La Fiorita, Vikingur Reikjavik dhe Levadia Talin.

Duket një botë tjetër për turneun, ku luajnë Mançester Siti dhe Real Madrid, PSG dhe Liverpul, Bajern Mynih dhe Çelsi. Por Championsi është edhe kompeticioni i ‘hirusheve’, që sfidojnë të mëdhatë.

Kur vjen koha për ndeshjet e vërteta, fjala është për të zakonshmit. Po cilat skuadra konsiderohen favorite për Ligën e Kampionëve të sezonit të ri? Bastvënësit kanë bërë një listë, që mund të ndryshojë sipas merkatos së verës.

Mançester Siti feston një fitore në Shampions. Gazeta Si, 29 qershor 2022

Faza në grupe do të zhvillohet para Botërorit të Katarit. Ndeshjet e para luhen më 6/7 shtator dhe të fundit më 1-2 nëtor. Më 25 gusht hidhet shorti, ku dihet tashmë vazoja e parë. Aty bëjnë pjesë Real Madrid, Eintraht Frankfurt, Mançester Siti, Milan, Bajern Mynih, PSG, Porto dhe Ajaks.

Kush nis favorit? Real Madrid, kampion në fuqi? Jo, sipas bastvënëësve, Liga e Kampionëve nuk niset me Realin para të gjithëve. Janë 4 skuadrat me më shumë shanse për trofeun me veshë të mëdhenj.

Mançester Siti, PSG, Liverpuli dhe Bajern Mynih janë pretendentët kryesorë. Dy të parët janë në ‘pole position’, është çështje investimesh, potenciali dhe lojtarësh në dispozicion.

Liga e Kampionëve ka qenë e lakmuar nga Siti dhe PSG këto vitet e fundit. Kanë qenë vetëm një hap larg. Skuadra e Klop mbeti duarbosh vitin e fundit, pasi humbi finale me Realin. Nuk do të ketë më Sadio Mané, i cili kaloi te bavarezët, gjithashtu favoritë.

Pastaj vijnë Real Madrid dhe Çelsi, përpara Barcelonës dhe Juventusit. Interi dhe Milani ndjekin Juven, ndërsa Napoli është shumë prapa. Shumë gjëra mund të ndryshojnë, numërimi mbrapsht ka nisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë