Ne rrjet

Lidhjet mes administratës Trump, të djathtës amerikane dhe vëllezërve Tate

I rrëfen një hetim i gazetës “New York Times” se si famëkeqët Tate, u larguan nga Rumania për t'u rikthyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Gazeta Si – Më 27 shkurt 2025, Andrew dhe Tristan Tate zbarkuan në Florida me një aeroplan privat pasi një gjyqtar rumun hoqi kufizimet e udhëtimit, duke i lejuar ata të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara.

ndrew Tate, më i njohuri nga të dy, është një sipërmarrës dhe influencues me pikëpamje mizogjine, të dhunshme dhe raciste, i njohur në manosferë dhe në të djathtën ekstreme.

Ai dhe vëllai i tij Tristan, akuzohen në Rumani dhe Mbretërinë e Bashkuar për krime të ndryshme, duke përfshirë sulme seksuale dhe trafikim qeniesh njerëzore, për drejtimin e një rrjeti prostitucioni bazuar në mashtrimin dhe kanosjen e dhjetëra grave. Një hetim i tretë u hap gjithashtu kundër tyre në Florida.

Disa gazeta, përfshirë “Financial Times”, kishin raportuar tashmë në atë kohë se vëllezërit Tate kishin arritur të rimerrnin pasaportat e tyre nga autoritetet gjyqësore rumune nën presionin e administratës amerikane të Donald Trump.

Tani, një investigim i “New York Times ka rindërtuar në detaje më të mëdha lidhjet e shumta midis Tates, administratës Trump dhe familjes së presidentit.

Ndër zhvillimet më të spikatura janë dy mesazhe që Andrew Tate u dërgoi njerëzve të afërt me të në ditët menjëherë para kthimit të tij në Shtetet e Bashkuara. Mesazhet tregojnë qartë ndërhyrjen e drejtpërdrejtë nga administrata Trump.

Më 14 janar, Andrew Tate shkroi: “Administrata Trump më ka njoftuar se do ta trajtojë këtë çështje. Më thanë se do të jem i lirë dhe se Presidenti Trump duhet të takohet me mua së shpejti në Miami”.

Pak më shumë se një muaj më vonë, të dy zbarkuan në aeroportin Fort Lauderdale, Florida, i dyti më i afërt me Mar-a-Lago, rezidencën e Trump (rreth 60 milje nga Miami). Trump mohoi të kishte të bënte me lirimin e tyre.

Në një mesazh tjetër, të dërguar më 26 shkurt, Andrew Tate shkroi: “Kam marrë udhëzime shumë të hollësishme nga amerikanët se si të kalojmë kufirin, në lidhje me telefonat, pasaportat, etj. Nuk mund të them më shumë”.

Të nesërmen vëllezërit Tate fluturuan për në Shtetet e Bashkuara, duke dokumentuar kthimin e tyre me një video të postuar në Rumble (ata kanë shtetësi të dyfishtë britanike dhe amerikane).

Andrew Tate (majtas), dhe vëllai i tij Tristan, jashtë një stacioni policie në Rumani më 21 maj 2025

Në video, Andrew Tate deklaron shprehimisht se atyre iu lejua të ktheheshin “me kusht që [udhëtimi] të ishte sekret”.

Ai thotë se aeroporti në Bukuresht, Rumani, ishte rihapur posaçërisht për ta në orën 2:00 të mëngjesit, por se ata u mbajtën për disa orë nga policia rumune.

Ai shton se telefonoi një person rumun, emrin e të cilit nuk e bën të ditur, i cili do të mbërrinte shpejt për të zgjidhur çështjen para agimit: “Sepse nëse lind dielli, media e zbulon dhe ne nuk jemi larguar, do të jetë një makth”.

Pasi u larguan, gazetarët e pyetën Joseph D. McBride, avokatin e Tates, i cili përfaqësoi gjithashtu disa nga mbështetësit e Trump që sulmuan Kongresin Amerikan më 6 janar 2021, nëse administrata kishte luajtur ndonjë rol në kthimin e tyre. Ai u përgjigj: “Bëni llogaritë, djemtë janë në aeroplan”.

Siç u raportua nga faqja e internetit hetimore amerikane “ProPublica” muaj më parë, me mbërritjen e tyre në Shtetet e Bashkuara, agjentët e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare, i sekuestruan telefonat dhe është e paqartë me kërkesë të cilit autoritet (siç u përmend, Tates ishin të përfshirë në hetime në shumë vende).

Në një procedurë shumë të pazakontë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ndërhyri, duke kërkuar me shkrim që autoritetet t’i kthenin ato.

Ky zyrtar ishte Paul Ingrassia, ish-avokati i Tates dhe tani ndërlidhësi midis Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Shtëpisë së Bardhë.

“New York Times” gjeti gjithashtu konfirmim të ri të një historie që kishte dalë tashmë në gazeta në shkurt: se Richard Grenell, një i dërguar special për administratën Trump dhe një mbështetës i njohur i Tates, kishte folur hapur për rastin e tyre me zyrtarë të lartë rumunë.

Njëri ishte Victor Ponta, një këshilltar i kryeministrit të atëhershëm rumun, Marcel Ciolacu: ai fillimisht kishte lënë të kuptohej për “New York Times” se kishte diskutuar për Tatet me Grenell, por më vonë e tërhoqi; tjetri ishte Emil Hurezeanu, atëherë ministër i Jashtëm. Si qeveria rumune, ashtu edhe Grenell, kanë minimizuar ose mohuar çdo rol në lirimin e tyre.

Së fundmi, gazeta përpiloi intervista, podkaste dhe deklarata nga ata që ishin të përfshirë drejtpërdrejt për të rindërtuar lidhjen midis vëllezërve Tate, familjes Trump dhe figurave të ndryshme të shquara të së djathtës amerikane.

Richard Grenell paspresidentit amerikan, Donald Trump

Për shembull, raportohet se Andrew Tate ishte takuar personalisht me Donald Trump Jr., një nga djemtë e Donald, në “Trump Tower” në vitin 2017 dhe në vitin 2018, ai tha në një podcast se fliste me të “çdo dy ditë”.

Një mik i përbashkët, konfirmoi gjithashtu se Barron Trump, djali më i vogël i Trump, tani 19 vjeç, gjithashtu e admironte shumë Andrew dhe se të dy kishin folur të paktën një herë në Zoom.

Në atë rast, të dy diskutuan gjithashtu se hetimin rumun, kishte si qëllim një mënyrë për të bërë të heshtnin vëllezërit Tate, sipas burimit të “New York Times”.

Midis personazheve të famshëm të krahut të djathtë me të cilët Tatet kishin marrëdhënie të mira ose nga të cilët kishin marrë mbështetje, ishin Tucker Carlson, komentatori i njohur konservator, i cili kishte zhvilluar një intervistë shumë përbuzëse me Andrew Tate; Candace Owens, një podkaster i njohur; dhe vetë Charlie Kirk, një nga aktivistët më të njohur të së djathtës amerikane, i vrarë në fillim të shtatorit gjatë një eventi publik.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë