Ne rrjet

Lidhja me Moskën / Vuçiç: Unë ulem vetëm në një karrige! Europa blen më shumë nga Rusia por fajtore del Serbia

Nga Gazeta 'Si'- Në një intervistë me BBC, presidenti serb Aleksander Vuçiç i pyetur për marrëdhëniet e tij të ngushta me Rusinë, deklaroi se në fakt është Europa ajo që sipas tij blen më shumë nga Rusia sesa Serbia.

“Ata vendosën sanksione dhe ndërkohë blejnë 20 herë më shumë gaz dhe 1000 herë më shumë naftë se sa Serbia blen nga Rusia. Nuk jam unë ai që kam folur me Putinin dhjetëra herë gjatë dy viteve e gjysmë të fundit. Një herë fola kur më uroi në telefon për 80 vjetorin e çlirimit. Por liderët e BE-së shkuan në Moskë, u takuan me Presidentin Putin dhe diskutuan të gjitha çështjet, duke blerë ende naftë dhe gaz nga Putini dhe duke u përpjekur të paraqesin Serbinë si fajtorin e vetëm. Ne jemi një objektiv i lehtë”, tha Vuçiç.

Prezantuesi i BBC e pyeti edhe për deklaratën që një zyrtar amerikan bëri për Vuçiçin dhe Serbinë kohë më parë.

“Ai ju tha, nuk mund të uleni në dy karrige në të njëjtën kohë, veçanërisht nëse ato janë larg njëra-tjetrës. A nuk është ky një përshkrim i saktë i asaj që po përpiqeni të bëni?”, e pyeti ai.

Por Vuçiç u përgjigj se nuk është kështu dhe se ai ulet vetëm në karrigen serbe.

“Unë jam shumë krenar për këtë. Unë kam, siç mund ta shihni, vetëm një karrige . Nuk ka dy karrige. Dhe karrigia jonë do të thotë që ne i marrim vendimet tona. Kjo do të thotë se ne mbështesim Ukrainën, duke folur për ndihmën humanitare dhe financiare, më shumë se të gjitha të tjerat së bashku në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiç.

Pyetjes nëse ka ndonjë kontradiktë në pozicionin e tij, Vuçiç iu përgjigj duke thënë se ka shumë kontradikta në sjelljen e të gjithë të tjerëve ndërsa serbët mbeten shumë parimorë moralisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë