Bota

Liderët europianë në krah të Zelenskit pas sherrit me Trump. Macron: Agresori i vetëm është Rusia

Gazeta Si – Liderët europianë i kanë dalë në krah Volodimir Zelenskit pas debatit të ashpër në Shtëpinëë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, i cili i kërkoi homologut të tij të pranojë pa kushte një armëpushim për luftën në Ukrainë, duke favorizuar kërkesat e Rusisë.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri polak dhe ish-presidenti i KiE, Donald Tusk, iu drejtua Zelenskit dhe i tha: “Të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm”.

Nga ana tjetër, presidenti Emmanuel Macron, i pyetur për këtë debat, teksa po viziton Portugalinë, tha se Rusia është “vendi aggressor” dhe se “Ukraina po sulmohet”.

Sipas Macron, është e rëndësishme që të tregohet respekt ndaj atyre që kanë luftuar prej fillimit për të mbrojtur dinjitetin, të drejtat dhe sigurinë e Europës.

Presidenti francez theksoi se vendet europiane dhe aleatët e tjerë kishin të drejtë që ndihmuan Ukrainën prej 3 vitesh dhe sanksionuan Rusinë.

Solidaritet ka pasur edhe nga Presidentja e BE-së, Ursula von der Leyen për Zelenskin: “Dinjiteti juaj inkurajon guximin e popullit ukrainas. Nuk do të jesh kurrë vetëm, i dashur president”.

Gjermania gjithashtu tregon solidaritetin e saj me Kievin. “Ne jemi të bashkuar, së bashku me aleatët tanë evropianë përkrah Ukrainës dhe kundër agresionit rus. Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen tonë”, tha ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock.

“Spanja është me ju”, shtoi pak më vonë kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Një koment pro-Zelenskit kanë dhënë edhe demokratët amerikanë. “Trump dhe zëvendëspresidenti Vance po bëjnë punën e pistë të Vladimir Putinit”, thotë udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer.

Nga Rusia, ka ardhur komenti i parë, në mbështetje të Trumpit: “Derri Zelenski më në fund mori një shuplakë në fytyrë”, shkruan ish-presidenti rus, Dimitri Medvedev në platformën “X”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë