Kombetarja

Liderët e Kombëtares në krizë, shumica po ngrohin stolin

Gazeta Si – Sezoni i ri nuk ka nisur mirë për disa nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares. Një pjesë e mirë e titullarëve kuqezi kanë humbur diçka në raport me sezonin e shkuar dhe e shohin veten në stol. Trajneri Reja duhet të shqetësohet.

‘Kriza’ më e thellë ka prekur portën, ku asnjë nga dy portierët e Kombëtares, Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha, nuk ka luajtur asnjë ndeshje në kampionat. Edhe këtë fundjavë të dy ishin spektatorë në Premier Ligë dhe në Serinë A.

Strakosha dhe Berisha në një grumbullim të Kombëtares. Gazeta Si, 28 gusht 2022

Strakosha kaloi në Angli pikërisht për të pasur vazhdimësi në aktivizim, për të mos pasur luhatje si te Lacio. Por, deri tani ka luajtur vetëm një ndeshje në kupë, në Premier Ligë nuk ka debutuar ende.

Etrit Berisha për momentin është zgjedhje e dytë e trajnerit Ivan Juriç te Torino. Edhe sezonin e kaluar ai është alternuar me portierin serb dhe tani duhet të presë sërish momentin e tij. Porta është një sektor delikat dhe mungesa e aktivizimit pa dyshim ndikon në formën e dy ‘gardianëve’ kuqezi.

Edhe mbrojtja nuk është më mirë. Hysaj dhe Kumbulla ose nuk janë aktivizuar fare, ose kanë hyrë në fushë në minutat e fundit, siç ndodhi këtë javë. Janë dy nga lojtarët lider të Kombëtares dhe qëndrimi në stol i penalizon jo pak.

Hysaj po merr pak minuta te Lacio. Gazeta Si, 28 gusht 2022

Berat Gjimshiti luan rregullisht tek Atalanta, por për fat të keq ai pësoi një dëmtim dhe do të mungojë në ndeshjet e Ligës së Kombeve me Islandën dhe Izraelin. Edhe Veseli është një lojtar stoli te Salernitana. Ndryshe është situata me Ismajlin, që duket në formë të mirë.

Shqetësuese është situata edhe me dy nga liderët e rinj të Kombëtares, Armando Brojën dhe Kristjan Asllanin. Jemi ende në fillim të sezonit dhe duke qenë se bëjnë pjesë në dy klube të mëdha, është e pranueshme të qëndrojnë në stol, por jo gjithë kohën.

Broja ka marrë pak minuta te Çelsi, Asllani vetëm 6 minuta në një ndeshje me Interin. Të dy kanë nevojë të luajnë, sigurisht. Një situatë jo e mirë kjo në prag të ndeshjeve të radhës për Kombëtaren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë