Gazeta Si – Liderët botërorë kanë shprehur ngushëllimet e tyre, për ndarjen nga jeta në moshën 88-vjeçare të Papa Françeskut.
Njoftimi i Vatikanit erdhi si një tronditje për shumë njerëz, pasi një ditë pasi Papa bëri një paraqitje të profilit të lartë në publik. Pak para kësaj, ai zhvilloi një takim të shkurtër me nënpresidentin e SHBA JD Vance.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
“Sot bota mban zi për vdekjes e Papa Françeskut. Ai frymëzoi miliona njerëz, përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë kaq të pastër. Ngushëllimet e mia janë me të gjithë ata që e ndjenë këtë humbje kaq të thellë. Le të gjejmë ngushëllim në idenë se trashëgimia e Papa Françeskut do të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve drejt një bote më të drejtë, paqësore dhe më të dhembshur”, ka shkruar Ursula von der Leyen në llogarinë e saj në “X”.
Një reagim pati dhe nga Shtëpia e Bardhë e SHBA. “U prefsh në paqe Papa Françesku”, ka shkruar në “X”, Shtëpia e Bardhë.
“Nga Buenos Aires në Romë, Papa Françesku donte që Kisha të sillte gëzim dhe shpresë për më të varfrit. Të bashkonte njerëzit me njëri-tjetrin dhe me natyrën. Le të ringjallet pandërprerë kjo shpresë përtej tij,” tha presidenti francez Emmanuel Macron në një deklaratë.
Kancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz tha se “vdekja e Papa Françeskut më mbush me trishtim të madh. Françesku do të mbahet mend për angazhimin e tij të palodhur ndaj anëtarëve më të dobët të shoqërisë, ndaj drejtësisë dhe pajtimit”, në një deklaratë në X.
Ngushëllime për vdekjen e Papa Françeskut shprehu dhe kryeministri i Holandës, Dick Schoof. Në reagimin e tij Schoof thotë se Papa ishte një njeri i popullit.
“Komuniteti katolik në mbarë globin i jep lamtumirën një udhëheqësi që njohu çështjet e ndezura të ditëve tona dhe tërhoqi vëmendjen ndaj tyre. Me mënyrën e tij të matur, veprimet në shërbim të njerëzimit dhe dhembshurinë, Papa Françesku ishte një model për shumë njerëz katolikë dhe ji katolik”, ka shkruar Schoof në “X”.
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni tha se lajmi për vdekjen e Papa Françeskut ishte një lajm shumë i trishtë pasi po i jepet lamtumira një njeriu të madh.
“Na trishton thellësisht, pasi po i themi lamtumirën një njeriu të madh. Kam pasur privilegjin që të shijoj miqësinë, këshillat dhe mësimet e tij, të cilat nuk më kanë dështuar kurrë. Por, ne e dimë që tani ai është në shtëpinë e Zotit”, tha Meloni.
Kryeministri australian Anthony Albanese tha në një fjalim televiziv kombëtar se të gjithë flamujt do të valëviten në gjysmështizë në ndërtesat qeveritare të martën në shenjë respekti për Papën e ndjerë. “Për katolikët australianë, ai ishte një kampion i përkushtuar dhe at i dashur”, – tha Albanese. Papa Françesku e jetoi besimin dhe thirrjen e tij me fjalë dhe vepra. Ai ishte vërtet frymëzues.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog tha se Papa Françesku nxiti lidhje të forta me hebrenjtë dhe avancoi dialogun ndërfetar.
“Unë me të vërtet shpresoj që lutjet e tij për paqen për Lindjen e Mesme dhe për kthimin e sigurt të pengjeve do të marrin përgjigje së shpejti”, shkroi ai duke iu referuar thirrjeve të përsëritura të Papës për t’i dhënë fund luftës dhe lirimin e robërve të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.