Gazeta Si- Kryetari i Bashkisë së Devollit, Eduard Duro është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme dy javë pasi u mor i pandehur për akuzën e "shpërdorimit të detyrës".
Sipas burimeve, Duro ka dhënë shpjegime në SPAK në lidhje me veprimet e tij për licencimin e një karburanti pa leje.
Dy javë më parë, kryebashkiaku Duro u mor i pandehur ga SPAK për shpërdorim detyre.
Eduard Duro u kallëzua nga një subjekt tjetër për dhënien e licencës së karburantit që dyshohet të jetë ndërtuar pa leje.
Shkak për hapjen e dosjes është bërë denoncimi nga një tjetër pronar karburanti që ka ngritur pretendimet se subjekti i ri nuk ka pasur certifikatë të pasurisë në objektin ku do të ushtronte aktivitetin.
Madje godina ka qenë ndërtim pa leje. Duket se në verifikimet paraprake SPAK ka konstatuar parregullsi çka ka bërë të njoftojë akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Por pas publikimit të lajmit në medie ka reaguar edhe bashkia e Devollit. Përmes një njoftimi për shtyp thuhet se autorizimi është bërë nga drejtoria e tatim taksave madje theksohet se ka qenë konform ligjit.
“Ne këtë rast, nga ana e kryetarit te bashkisë Eduard Duro është firmosur autorizimi duke plotësuar detyrën ne kushtet e një kryetari bashkie. Nga ana e palës tjetër, është bere denoncim se ky dokument nuk duhej ti jepej subjektit "Genci Petrol", por ne këtë rast autorizimi është dhënë sipas ligjit”, thuhet me tej
Megjithatë do të jetë prokuroria e posaçme që do të verifikojë nëse në procedurat e ndjekura ka pasur shkelje të ligjit
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.