Lojëra me Dore

Libri i Skoti Pipen, helm ndaj Xhordan: Egoist dhe hipokrit, asnjëherë miq

Libri i ish-lojtarit anësor të Çikago Bulls, Skoti Pipen, që del në shitje më 9 nëntor, është një akuzë e fortë për më të mirin e të gjitha kohërave në NBA, Majkëll Xhordan. Ky i fundit përshkruhet nga Pipen si hipokrit dhe i pandjeshëm. Në libër ka për të gjithë, duke filluar nga trajneri Fill Xhekson.

Pipen kundër Xhordan. Kundër të gjithëve, në fakt, por lajmi bën bujë kur ai vë në shënjestër ish-shokun e skuadrës te Çikago e kohëve të arta, mitikun Majkëll Xhordan. Libri i Skoti Pipen, për 18 sezone protagonist në NBA dhe tani në “Hall of Fame”, është një bombë nga përmbajtja.

Libri i Skoti Pipen. Gazeta Si, 5 nentor 2021

Te “Unguarded”, Pipen akuzon hapur Xhordanin, për shumë lojtari më i mirë i çdo epoke.

“Si pati guximin të na trajtonte kështu te “The Last Dance”, – dokumentari i prodhuar nga ESPN, – mua dhe lojtarët e tjerë të kohës, pas gjithë asaj që kemi bërë për të dhe markën e tij të çmuar? “The Last Dance” glorifikon atë dhe nuk na vlerëson ne”, – shkruan Pipen në libër.

Pipen më tej e rrit dozën e kritikave: “Të rishoh në video se si i trajton keq kolegët e tij, më dridhet trupi, edhe tani si atëherë. Më ka quajtur ‘shoku më i mirë i skuadrës’. Nuk mund të ishte më mendjemadh se kaq. Sa naiv jam treguar, duke pritur diçka ndryshe…”.

Hipokrit dhe i pandjeshëm. Ky është portreti i Xhordan, sipas Pipen. “Unë dhe ai nuk kemi qenë kurrë miq”, – shkruan Skoti Pipen. Dhe të mendosh që ai dhe Xhordan kanë triumfuar 6 herë bashkë. Ata kanë luajtur në krah të njëri-tjetrit nga viti 1987 deri në 1993-shin dhe pastaj nga 1995-a në 1998-ën. Ishin fytyrat e dinastisë së Bullsave, por me sa duket, poshtë krevatëve të asaj skuadre paska pasur shumë pluhur.

Pipen dhe Xhordan kur luanin me Çikago Bulls. Gazeta Si, 5 nentor 2021

Pipen në libër ka për të gjithë, nuk kursen askënd. Për Çarls Barklein ka thënë: “Nuk ishte edhe aq i dhënë për të fituar një titull”. Bujë kanë bërë edhe fjalët për trajnerin Xhekson, të cilin më parë e ka quajtur racist, sepse në fundin e një ndeshjeje në 1994-ën kishte bërë një skemë për Toni Kukoç dhe jo për të. Në libër Pipen nuk kthehet te kjo çështje, por shprehet se Xhekson e ka braktisur në momentin e së vërtetës.

Sigurisht, thelbi i librit ka të bëjë me akuzat ndaj Xhordan. Në disa pjesë të librit të publikuara nga “Neë York Times”, shkruhet: “Kemi fituar 6 unaza, edhe pse ai sillej keq me shokët e skuadrës. Nuk më shqetëson fakti që përmbajtja e librit na ndan përfundimisht.

Për t’i përkeqësuar gjërat, për “The Last Dance”, që e ka prezantuar si historinë e tij, jo atë të Bullsave, ai ka marrë 10 milionë dollarë, ne asnjë qindarkë. Ishte shumë i shqetësuar se ndoshta tifozët e kësaj gjenerate mund të konsiderojnë LeBron Xhejmsin si më të madhin. Prandaj ka dashur t’u tregojë të gjithëve të shkuarën, që e nxjerr si më të mirin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë