Numri i fëmijëve që janë infektuar me linë e majmunit është i vogël në krahasim me infeksionet tek të rriturit por të paktën katër vende europiane kanë raportuar raste te të miturit.
Autoriteti shëndetësor i Gjermanisë, Instituti Robert Koch, ka raportuar rastin e parë në vend të lisë së majmunit te një fëmijë (9 gusht 2022).
RKI thotë se rasti u zbulua në një vajzë 4-vjeçare që jetonte në një familje me dy të rritur të infektuar në Pforzheim, një qytet në jugperëndim të Gjermanisë.
Fëmija u testua për linë e majmunëve pasi një kontakt i ngushtë në familje ishte infektuar me të.
Ministria e Shëndetësisë tha se fëmija nuk kishte pasur kontakte të ngushta jashtë shtëpisë dhe nuk kishte shfaqur asnjë simptomë.
Lia e majmunit tek fëmijët jashtë Gjermanisë
Raste të tjera te fëmijët janë raportuar në SHBA, Francë, Holandë dhe Spanjë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në nivel global ka 25 raste te fëmijët e moshës katër vjeç e lart.
Në grupin e moshës deri në 17 vjeç, OBSH thotë se lia e majmunit është relativisht e pazakontë, me vetëm 98 raste në botë në mesin e rreth 17,400 rasteve për të cilat dihet mosha e pacientit.
Në përgjithësi, ka rreth 31,800 raste të lisë së majmunit.
Si ndikon lia e majmunit tek fëmijët
Ka pak prova nga vendet ku lia e majmunit është e pranishme për të kuptuar se si virusi mund të prekë fëmijët.
Gjatë një shpërthimi të lisë së majmunit në 2003 në SHBA, 28 njerëz u raportuan se ishin infektuar dhe vetëm dy përjetuan probleme të rënda klinike dhe të dy ishin fëmijë. Ata u shëruan.
Përveç kësaj, informacioni për rastet pediatrike është i pakët jashtë Afrikës, ku lia e majmunit është endemike në të paktën tetë vende. Por studimi se si sëmundja prek fëmijët në Afrikë mund të ofrojë disa njohuri të përgjithshme.
Midis 2001 dhe 2021, shkalla e vdekjes nga lia e majmunit në Republikën e Afrikës Qendrore ishte më e lartë tek fëmijët sesa tek të rriturit: 9.6% e fëmijëve kundrejt 5.2% e të rriturve vdiqën, sipas Paul Hunter, profesor në Shkollën Mjekësore Norwich në Mbretërinë e Bashkuar. Ky informacion u nda në një konferencë të OBSH-së.
Dhe gjatë një shpërthimi të vitit 1985 në Zaire, shkalla e vdekjes ishte më e lartë në mesin e fëmijëve të moshës katër vjeç e poshtë, me një normë prej 14.9%, e ndjekur nga 6.5% në fëmijët e moshës 5-9 vjeç, sipas një studimi të botuar në Journal of Infectious Diseases. Nuk ka pasur vdekje te fëmijët e moshës 10 vjeç e lart.
“Fëmijët, veçanërisht fëmijët nën 5 vjeç, mbeten në rrezik më të lartë të sëmundjeve të rënda”, tha Hunter. “Por ne po shohim një vdekshmëri të përgjithshme shumë më të ulët në pandeminë aktuale dhe dyshoj se një pjesë e rëndësishme e kësaj është për shkak të aksesit më të mirë në kujdesin shëndetësor”.
Rasti misterioz holandez
Në fund të qershorit 2022, studiuesit në Holandë u njoftuan për një rast të lisë së majmunit tek një djalë 10-vjeçar.
Infektimi i djalit ishte diçka e papritur për mjekët duke pasur parasysh faktin se në atë kohë nuk ishte e qartë për studiuesit saktësisht se si përhapet virusi.
Edhe pse shumica dërrmuese (mbi 98%) e rasteve të raportuara janë mes meshkujve që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, hulumtimet nuk kanë treguar që virusi përhapet vetëm përmes spermës ose kontaktit seksual.
Studiuesit fillimisht konfirmuan se djali nuk kishte përjetuar abuzim seksual dhe më pas testuan anëtarët e tjerë të familjes së djalit për virusin.
Të gjithë ishin negativë, jo vetëm për vetë virusin, por edhe në analizat serologjike, të cilat do të tregonin nëse rasti i djalit ishte shkaktuar nga një infeksion i fundit apo nga një vaksinim i një anëtari tjetër të familjes.
Studiuesit nuk arritën të kuptonin se dhe si ishte infektuar 20-vjeçari.
Sipas autorit të studimit Matthijs Welkers, infeksioni i djalit ishte shumë i lehtë.
“Gjatë periudhës së izolimit në shtëpi, ai kryesisht ishte i mërzitur dhe donte të kthehej në shkollë. Pas tre javësh izolimi, ai u rikthye në shkollë”, tha Welks.
Një vaksinë kundër lisë së majmunit për fëmijët e shkollave dhe mësuesit
Tani, me fillimin e një viti të ri shkollor që po afrohet në shumë vende, disa njerëz po pyesin nëse duhen marrë masa paraprake të veçanta për të mbrojtur fëmijët dhe mësuesit, ku fëmijët mësojnë dhe luajnë në kontakt të ngushtë gjatë gjithë ditës.
Ka një arsye pse të gjithë janë të shqetësuar.
Zyrtarët e departamentit të shëndetësisë në Illinois, Amerikë raportuan një ekspozim të mundshëm ndaj lisë së majmunit në një çerdhe, ku një mësues kishte rezultuar pozitiv në fillim të gushtit. Asnjë nga fëmijët nuk ka rezultuar pozitiv për virusin, por zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po u ofrojnë atyre vaksinën Jynneos, e njohur gjithashtu si vaksina Imvanex si një masë paraprake.
Jynneos/Imvanex është e vetmja vaksinë e miratuar për trajtimin e posaçëm të lisë së majmunit, megjithëse disa vende po përdorin gjithashtu vaksina më të vjetra të krijuara për të parandaluar linë.
Gjithashtu, ekspertët shëndetësorë theksojnë se njerëzit duhet të lajnë duart shpesh dhe duhet të shmangim kontaktin lëkurë më lëkurë me njerëzit që dyshojnë se mund të jenë ekspozuar ndaj lisë së majmunit.
Hulumtimet nuk tregojnë asnjë provë të transmetimit të lisë së majmunit nga ajri dhe në sipërfaqe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




