Shendet

Lia e majmunit shpesh herë ngatërrohet me një infeksion seksualisht të transmetueshëm

Shpesh, lija e majmunit mund të paraqitet si dhimbje në anus ose një puçërr në organin gjenital dhe lehtësisht të keq-diagnostikohet si një infeksion seksualisht i transmetueshëm (IST).

Nga më shumë se 500 infeksione të diagnostikuara, kryesisht te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj (MSM), 95% u paraqitën me skuqje, 73% kishin puçrra gjenitale dhe 41% kishin puçrra në gojë, raportoi Chloe Orkin, nga Universiteti Queen Mary në Londër.

Për më tepër, 15% e pacientëve kishin dhimbje anorektale dhe 10% u paraqitën me vetëm një puçërr të vetëm të lëkurës në zonën gjenitale, sipas gjetjeve në revistën “New England Journal of Medicine”.

“Përkufizimet aktuale ndërkombëtare të rasteve duhet të zgjerohen për të shtuar simptoma që nuk përfshihen aktualisht, të tilla si plagë në gojë, në anus dhe ulçer. Këto simptoma të veçanta mund të jenë të rënda dhe kanë çuar në shtrime në spital, kështu që është e rëndësishme të bëhet një diagnozë”, tha Orkin në një deklaratë.

Pucrrat në shputat e duarve dhe të këmbëve mund të çojnë në diagnozë të gabuar si sifilizi dhe IST të tjera si herpesi, të cilat nga ana tjetër mund të vonojnë zbulimin, vunë në dukje studiuesit.

Imazhe në mikroskop të lisë së majmunit-Marrë nga interneti-Gazeta “Si”- 26.07.2022.

“Zgjerimi i përkufizimit të rastit do t’i ndihmojë mjekët të njohin më lehtë infeksionin dhe kështu të parandalojnë njerëzit që ta kalojnë atë. Duke pasur parasysh kufizimet globale në furnizimin me vaksina dhe antivirale për këtë infeksion tropikal të neglizhuar, parandalimi mbetet një mjet kyç në kufizimin e përhapjes globale” vazhdoi Orkin.

Analiza përfshinte 528 persona të diagnostikuar midis 27 prillit dhe 24 qershorit në 16 vende. Kampioni i studimit përfshinte nëntë burra heteroseksualë me li të majmunit. Mosha mesatare ishte 38 vjeç, tre të katërtat ishin të bardhë dhe 41% kishin HIV, i cili në shumicën dërrmuese ishte i kontrolluar mirë. Klinikisht, prania e infeksionit HIV nuk ndikoi ndjeshëm në paraqitjen e lisë së majmunit, thanë studiuesit.

Puçrrat anorektale(në zorrën e trashë) të shoqëruara me dhimbje në anus dhe diarre u panë në 61 persona, vunë në dukje studiuesit, ndërsa 26 persona u paraqitën me simptoma orofaringeale duke përfshirë puçrra në gojë dhe fyt e bajame të qelbëzuara.

Transmetimi i lisë së majmunit dyshohej se kishte ndodhur nëpërmjet aktivitetit seksual në 95% të rasteve — një teori e mbështetur nga gjetjet e puçrrave primare të mukozës gjenitale, anale dhe orale. Faktorët e mundshëm të rrezikut përfshinin partnerë të shumtë seksual, udhëtime të kohëve të fundit ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në tubime të mëdha ose vende seksuale në vend.

Veçanërisht, IST shoqëruese u raportuan në 29% të të testuarve. Studiuesit u kërkuan mjekëve që të marrin në konsideratë linë e majmunit tek personat në rrezik që paraqesin simptoma tradicionale të IST.

“Është e rëndësishme të theksohet se lija e majmunëve nuk është një infeksion seksualisht i transmetueshëm në kuptimin tradicional,” tha bashkë autori John Thornhill, gjithashtu i Universitetit Queen Mary.

Se sa kohë virusi mbetet infektiv pasi të jenë pastruar puçrrat mbetet gjithashtu e paqartë, thanë hetuesit, duke shtuar se udhëzimet e Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar kanë këshilluar përdorimin e prezervativit për 8 javë pas infektimit.

Në përgjithësi, 5% e personave në studim morën trajtim antiviral, më shpesh me cidofovir ose tecovirimat (Tpoxx), 13% u shtruan në spital, kryesisht për dhimbje të forta në anus dhe superinfeksion të indeve të buta.

 “Shumica e rasteve ishin të lehta dhe të vetë-kufizuara dhe nuk kishte vdekje”, thanë studiuesit.

Burimi: MED PAGE TODAY/ Përshtati: Gazeta “Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë