Gazeta Si – Një nxënës 16-vjeçar i shkollës së mesme “Hydajet Lezha”, me inicile G.P., është arrestuar në Lezhë, pas kallëzimit të bërë nga një mësuese, se është goditur me karrige nga nxënësi i saj në orën e mësimit.
Mësohet se mësuesja me iniciale M.P., është dërguar në spitalin rajonal të Lezhës për shkak të dëmtimeve që ajo ka marrë në krah.
“Paraditen e sotme, në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezha”, një 16-vjeçar, nxënës i këtij gjimnazi, ka goditur me send të fortë (karrige), mësuesen në këtë gjimnaz, shtetasen M. P., e cila po merr asistencë mjekësore në spital. 16-vjeçari është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale“,- thuhet në njoftimin e Policisë së Lezhës.
Në një njoftim të dytë për mediat, policia sqaron se “në praninë e psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bënë arrestimin e shtetasit G. P., 16 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Nuk dihet me saktësi shkaku i debatit, por dyshohet se konflikti ka lindur për shkak të mungesave të vazhdueshme të nxënësit në shkollë.
Pas ngjarjes së rëndë tashmë janë mësuesit e shkollës të cilët kanë vendosur të bojkotojnë mësimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




