Gazeta Si – Një 43-vjeçar i ka shpëtuar një atentati me armë zjarri në Lezhë, i dyti brenda një periudhe 2-vjeçare.
Aleksandër Deda, i njohur në Lezhë si biznesmen është qëlluar të hënën nga një makinë në lëvizje.
Deda ka dalë nga veranda e lokalit për të hipur në makinë, kur është qëlluar nga atentatorët, por për fat të mirë plumbat e kanë kapur në pjesën e kapelës që mbante në kokë.
Asnjë prej plumbave nuk e kapi, por 43-vjeçari ka shkuar menjëherë në polici për të denoncuar.
Për zbardhjen e dinamikës së atentatit dhe identifikimin e autorëve janë sekuestruar pamjet e disa kamerave sigurie në zonë.
Aleksandër Deda, i njohur ndryshe dhe me nofkën “Leksi i Druve”, nuk njihet si personazh problematik dhe me precedent penal në Shqipëri.
Por atentati i dytë në harkun e dy viteve ngre dyshime për motivet. Në vitin 2020 ai u sulmua në superstradën Lezhë-Laç.
Aty mbeti i plagosur dhe arriti të shpëtojë, pasi u largua nga zona dhe shkoi vetë në Spitalin Rajonal të Lezhës ku mori ndihmën mjekësore.
Autorët edhe në atë rast arritën të humbin gjurmët, pasi dogjën makinën në fshatin Pllanë të Lezhës. Sulmet e përsëritura ngrenë dyshime për një përplasje të 43-vjeçarit me persona të tjerë.
Në atentatin e parë ai nuk bashkëpunoi me policinë për të treguar nëse ka pasur konflikt. Pista ku po heton policia është larje hesapesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




