Ngjarje

Lezhë/ 57-vjeçari vritet brenda makinës në oborrin e shtëpisë! Pista kryesore hakmarrja

Nga Gazeta ‘Si’- Gjendet i vrarë me breshëri plumbash brenda oborrit të shtëpisë së tij një 57-vjeçar. Krimi i rëndë ka ndodhur duke zbardhur dita e sotme (1 qershor) në Tale të Lezhës dhe motivi kryesor dyshohet se është gjakmarrja.

Viktima është identifikuar si Pjetër Kaza. Familjarët e gjetën trupin të qëlluar me armë zjarri brenda mjetit të tij, të cilin po e parkonte në oborrin e banesës. Policia bëri me dije se trupi është konstatuar nga bashkëshortja e viktimës rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, pak momente pasi ai ishte kthyer nga turni i natës, pasi punonte në minierën e Spaçit, në Mirditë.

Autorët dyshohet se i kanë zënë pritë afër banesës dhe e kanë pritur të kthehej, duke e qëlluar me breshëri plumbash. Policia vendore nisi hetimet dhe bëri me dije se dinamika dhe rrethanat mbeten ende të paqarta. Krimi mendohet se është kryer me armë automatike.

Pista kryesore për grupin hetimor është hakmarrja.

57 vjeçari është vëllai i Agustin Kaza, i cili është vrarë më 28 prill 2024 në Belgjikë.

Saga kriminale ka nisur që në vitin 1994, ku në Rrëshen është vrarë shefi i Krimeve, Ndue Kaza. Ai dyshohet se u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini dhe Augustin Gjini, të cilët pas ngjarjes u arratisën. Në atë kohë u dyshua se efektivi u qëllua për vdekje pasi ndërhyri për të shuar sherrin. Tre vite më vonë, në 1997-ën, Martin Kaza, ka vrarë për hakmarrje në qytetin e Laçit, vëllezërit Dod Gjini dhe Augustin Gjini, të cilët kanë qenë autorët e dyshuar të vrasjes se vëllait të tij në vitin 1994.

Katër vite pas asaj ngjarje, Gjykata e Kurbinit shpalli fajtor në mungesë për vrasjen e dyfishtë, Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë