Ka ndodhur

Lezhë, 41-vjeçari iu drejtoi armën policëve pasi i kërkuan të bëjë testin e alkoolit

Gazeta Si - Një 41-vjeçar u arrestua në Lezhë, pasi iu drejtoi armën policëve në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit. Gjatë kontrollit dhe testeve të kryera, i arrestuari L.Z., banues në Shkodër rezultoi se ishte në gjendje të dehur.

Me finalizimin e operacionit policor të koduar "Neutralizimi" në Shëngjin, në mesnatë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga 41-vjeçari, i cili ka krijuar dyshime tek nga përgjigjet dhe sjellja e tij.

"Për këtë shkak, është informuar se do t’i kryheshin kontrolle fizike dhe kontrolle në automjet, si dhe testi i alkoolit. Në atë moment, ky shtetas ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin. Ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, ka bërë të mundur neutralizimin e menjëhershëm të shtetasit L. Z., i cili pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me fishekë në fole, e gatshme për qitje, që mbahej pa leje nga ky shtetas", - njoftoi policia.

Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë