Kur Lulzim Basha firmosi marrëveshjen e 17 majit me Edi Ramën, Ilir Meta që kish pak ditë në detyrën e Presidentit, ia behu në zyrën e Sali Berishës, i bindur (sipas një rrëfimi të mëvonshëm të Monika Kryemadhit) se ky i fundit kishte kontribuar në zgjidhjen e krizës.
Meta, që atë botë nuk ishte dakord me çadrën e Lulzim Bashës, nuk pyeti për marrëveshjen as Ramën që i dha votat për president dhe as Bashën që ishte në krye të partisë më të madhe opozitare. Por Sali Berishën, më të cilin, vetë Meta ka pranuar se ka një marrëdhënie të veçantë e forcuar qysh prej ngjarjeve të 21 janarit dhe atyre që rrodhën pas.
Katër vjet më parë Rama kryeministër, Basha kryetar i PD, Meta në Presidencë dhe Berisha në zyrën e tij si kryetar i dorëhequr.
Por janari i vitit të pestë pritet të ndryshojë shumëçka në këtë konfigurim. Së paku ujërat do trazohen. Dhe jo më, përmes zyrash, bisedash informale apo mesazhe ’dashurie’ të një marrëdhënieve të vjetër mes tyre, por në fushë betejë si dy “gjeneralët” që ringrenë ushtrinë pas lufte, njëri për të rimarrë edhe ‘de jure’ PD-në dhe tjetri për të drejtuar partinë që themeloi vetë këtu e 17 vjet më parë.
Berisha kujtoi në një intervistë televizive se 5 janari është afati ultimativ i Bashës për të liruar zyrën me argumentin se ai u shkarkua nga referendumi i 18 dhjetorit.
“Nëse Basha nuk largohet nga zyra brenda 5 janarit, do të ketë një protestë paqësore. Ai po mban selinë, kështu që paqësisht, përmbaruesi anëtarësi do ta nxjerrë nga zyra. Anëtarësia do i tregojë se ajo zyrë nuk është e një deputeti, por e atij që do të zgjedhin anëtarët e PD-së për drejtimin e saj. Deputeti Basha do të largohet nga zyra dhe kaq është historia”, tha Berisha
Në të njëjtën ditë, edhe Monika Kryemadhi, në një takim për festat e fundvitit kryesisht me të rinjtë e LSI-së, paralajmëroi se Meta do të kthehet në fushëbetejë për një sfidë të re brenda partisë brenda pak muajsh.
“LSI po shkon drejt një sfide të re. Kohë të tjera do të vijnë, angazhime të tjerë do të duhen. Kërkon energji të re.
Unë dua t’ju bëj me dije, le ta kemi këtë aktivitet ku unë do të flas si kryetare, pasi gjëra të tjera, angazhime të tjera do t’ju vijnë. Jam i bindur se brenda shumë pak muajsh, ai që krijoi LSI do të kthehet te ju. Edhe ai mezi pret që t’ju vijë. I mungon miqësia juaj, entuziazmi juaj. sinqeriteti juaj. I mungon mundësia për të ndryshuar realitetin e ndotur të moçalit politik ku kishim qenë. Ndaj të jetë 2022-shi viti i LSI, i të rinjve dhe të rejave”, tha Kryemadhi.
Lëvizjet nga të dy kampet nuk vonojnë. Ajo që nuk dihet ende është qasja politike që do të kenë ndaj njeri tjetrit, të paktën publikisht.
Monika Kryemadhi tha në A2CNN se kurrë më bashkëpunim me Bashën, la të paqtë bashkëpunimin e hershëm me Berishën, por konfirmoi se nuk do të jetë në protestën që ky i fundit do të organizojë në datë 8 dhjetor.
Gjithçka në fakt në raportin mes të dyve do të varet jo vetëm nga gjendja ku pretendojnë të marrin partitë, por edhe nga ajo që do të vendosë DASH.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e ka nënkuptuar disa herë se Meta do të jetë politikani i radhës që do të shpallet ‘non-grata’ nga SHBA.
Në varësi të këtij vendimi do të pritet me interes edhe konfigurimi politik në të ardhmen dhe kryesisht lëvizja e Metës. Nëse ai do të mbylle një derë dhe do të hapë një tjetër për Ramën (sa kohë që Kryemadhi nuk e përjashtoi) apo do të zgjedhe rrugën tjetër atë të bashkëpunimit me Berishën duke përdorur çdo forme dhe mënyrë që do të mund të risillte rikuperimin e partisë dhe tyren në politikë.
Deri më tash, eksperienca tre mujore na tregoi se Berisha të paktën në bazë i ka prekur telat dhe jo pak.
Dhe kur bie fjala tek terreni, askush më shumë sesa Berisha dhe Meta nuk e njeh më mirë. Ndaj dhe rikthimi i tyre në skenën politike shqiptare edhe ‘de jure’ në kohën më të mundshme për mbijetesën e tyre në politikë do të turbullojë jo pak ujërat, qoftë edhe për keq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.