Futboll

Lëvizje e papritur, Egnatia dhe trajneri Magani ndahen me konsensus

Me një njoftim të shkurtër dhe shumë të thatë në faqen e vet zyrtare, klubi i Egnatias ka bërë të ditur publikisht largimin e trajnerit Gugash Magani. Një lëvizje e papritur kjo, duke marrë në konsideratë paraqitjen e skuadrës rrogozhinase në këtë kampionat, ku ajo është debutuese në elitë.

“KF Egnatia falënderon trajnerin Gugash Magani për bashkëpunimin. Klubi dhe trajneri vendosin të ndërpresin bashkëpunimin me konsesus. I urojmë suksese në vijim trajnerit Magani”, – shkruhet në njoftimin e Egnatias. Zyrtarisht është një largim me konsensus, por që lë prapa shumë dyshime.

Trajneri Magani duke folur me te tijte ne stervitje. Gazeta Si, 29 nentor 2021

Nuk është e qartë, nëse realisht kemi të bëjmë me një shkarkim, apo me një dorëheqje të trajnerit peqinas. Nëse Magani ka kërkuar largimin, mund të quhet e pranueshme, nëse është shkarkim, sigurisht që është një vendim shumë i nxitur, sepse shumëzohen me zero pikët që Egnatia i ka marrë Tiranës, Partizanit, Laçit dhe Dinamos, si dhe kualifikimi historik në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Magani është trajneri i tretë në Superiore që lë detyrën, pas malazezit Vukiçeviç te Laçi dhe Edi Martinit te Teuta. Pas 10 javësh, Egnatia mban vendin e tetë në klasifikim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë