Motosport

Lëvizje anti-Red Bull, Ferrari bën disa modifikime para garës së Majemit

Gazeta Si – Disfata në Imola ishte e dhimbshme për Ferrarin. Ishte e papritur dhe zhgënjyese, por nuk ka kohë për të humbur. Skuderia italiane po përgatitet për rikthimin e fuqishëm që në Çmimin e Madh të Majemit, më 8 maj.

Në Maranelo në fakt e kishin parashikuar më parë ndonjë ndryshim, ndërsa pas asaj që ndodhi fundjavën që shkoi, është përshpejtuar puna. Duhen bërë disa modifikime, edhe pse cirkuiti i Floridës është i panjohur për të gjithë, duke qenë se nuk ka të dhëna për t’u marrë në konsideratë dhe për të bërë lëvizjet e duhura.

Te Ferrari e kanë të qartë se duhet një reagim i menjëhershëm për të mos i dhënë mundësinë Red Bull-it të ngjitet në klasifikim dhe shansin Vershtapenit që të sulmojë ashtu siç di ai. Jemi ende në fillim të sezonit, por çdo pikë do të ketë peshë dhe nuk i duhet lënë rastësisë.

Makina e Leklerk gjate gares se Imolas. Gazeta Si, 26 prill 2022

Në Majemi, F1-75 do të prezantohet me disa pjesë të modifikuara për t’i dhënë mundësi makinës të arrijë maksimumin në një pistë të shpejtë, me pjesë të drejta ku makina ecën me më shumë se 300 km/h për disa sekonda. Te Ferrari kanë punuar edhe për të shtuar efikasitetin e “Drs”, thelbësore në fazën e parakalimit. Edhe “power unit” do të ketë një pjesë hibride, që jep më shumë forcë.

Për ndryshime më të mëdha, duke ditur që motori termik është “i ngrirë”, duhet pritur gara e Spanjës në fund të majit, ku mund të veprohet siç bëri Red Bull-i në Imola. Ferrari duket mirë gjithsesi dhe nuk ka nevojë për ndryshime shumë të mëdha dhe aq më tepër gjatë sezonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë