Futboll

Levandovski theu çdo rekord në 2021-shin, por kjo s’mjaftoi për “Topin e Artë”

Një vit special për Bajernin dhe lojtarët e tij. Edhe pse nuk mundi të fitonte “Topin e Artë”, Robert Levandovki e ka mbyllur vitin 2021 ashtu siç e hapi më 3 janar: duke shënuar. Ai ka vendosur rekordin e radhës në karrierë, duke fshirë atë të Gerd Myler, që zgjaste prej 50 vitesh. Në 2021-shin polaku ka shënuar 43 gola në 34 ndeshje të Bundesligës.

Levandovski shenon gjate ndeshjes se fundit ndaj Volfsburgut. Gazeta Si, 19 dhjetor 2021

Askush më parë nuk kishte arritur te kjo shifër (Myler në 72-shin kishte shënuar 42 gola), por numrat e Levandovskit janë edhe më impresionues, nëse bashkohen me komepticionet e tjera: në 47 ndeshje në total ai ka shënuar 58 herë (43 në Bundesligë, 11 në Champions, 2 në Superkupën e Gjermanisë dhe 2 në Botërorin e klubeve). Nëse llogarisim edhe ndeshjet me Poloninë, Levandovski në 2021-shin shkon në kuotën e 59 ndeshjeve dhe 69 golave.

Ai ka vendosur rekordin e golave për një vit kalendarik në Bundesligë, por kjo nuk ka mjaftuar që sulmuesi i Bajernit të fitojë “Topin e Artë”, ku ai zuri vendin e dytë, pas Lionel Mesit.

Por te Bajerni nuk është vetëm Levandovski. Edhe Tomas Myler ka shënuar një arritje të rëndësishnme. Me 15 asiste vetën në gjysmën e parë të kampionatit, ai është bërë “asistmeni” më i mirë në Bundesligë. Po ashtu, sulmuesi gjerman ka kaluar 400 ndeshje në kampionat, të gjitha me fanellën e Bajernit (134 gola dhe 194 asiste).

Tomas Myler. Gazeta Si, 19 dhjetor 2021

Që kur ka debutuar në Bundesligë (15 gusht 2008 ndaj Hamburgut), në 5 kampionatet më të forta në Europë vetëm 3 lojtarë kanë luajtur më shumë ndeshje me të njëjtën fanellë. Bëhet fjalë për Mesin dhe Buskets (442 dhe 431 me Barcelonën), si dhe portierin Mandanda (429 me Olimpikun e Marsejës. Edhe në 2022-shin Myler është besnik i bavarezëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë