Euro 2020

Lëv, Sane dhe Gyndogan nën akuzë, Gjermania e copëtuar para Anglisë

Katër studentë ishin të pranbishëm në stadiumin e Mynihut në ndeshjen me Hungarinë, ata bënë edhe një foto me trajnerin Joakim Lëv, të cilin e simpatizojnë. Prej tij morrën premtimin se do të rishihen në finalen e “Wembley”-t, por për momentin duket se janë të vetmit që besojnë te trajneri i Gjermanisë.

Skuadra e Lëv ka fituar vetëm një nga tri ndeshjet e grupit, ndaj dhe kuptohet lehtë se vlerësimi për të është afër pikës zero. “Jemi kualifikuar, por nuk e dimë pse", - ishte titulli i faqes së parë të “Bild”. Këtë herë e përdtishmja gjermane e ka interpretuar plotësisht atë që ndjejnë tifozët gjermanë. Mes të tjerash, ndeshja me Hungarinë ishte më e ndjekura në televizor deri tani nga ky Europian, me 25.74 milionë spektatorë.

Gyndogan në ndeshjen me Hungarinë. Gazeta Si, 26 qershor 2021

Deri 6 minuta para fundit, Gjermania ishte e eliminuar dhe një dështim i dytë në fazën e parë, pas Botërorit të 2018-ës, do ta largonte vlerën e kombëtares gjërmane nga ajo e “të mëdhave”, ose nga shkolla e trajnerëve fitues. Kombëtarja e madhe do të shihej si pjesa e sëmurë e lëvizjes, ndërsa U-21 në fillim të muajit fitoi titullin europian. Goli i Leon Goretzkas shpëtoi lëkurën e gjermanëve, por nuk e ka ftohur frontin e kritikave, përkundrazi…

Mes mijëra kritikave gazetareske dhe të opinionistëve, një video-analizë e Lotar Mateus ka lënë shenjë. "Lëv duhet të zgjohet. Ka besuar sërish te lojtarë që kanë zhgënjyer. Prapa ka probleme, përpara mungon forca, nuk është parë përqendrimi, ndërsa kompaktësia ka të bëjë me aftësinë për të qenë “vrasës” në zonë, ashtu si ndaj Portugalisë. Tani duhet të futë lojtarë që janë më mirë, pa parë nëse kanë 10 vjet në kombëtare, apo 2 muaj".

Lotar Mateus. Gazeta Si, 26 qershor 2021

Mateus është një fans i Jamal Musialas, 18-vjeçarit të Bajernit, që një minutë pasi u fut në fushë kundër Hungarisë, ishte protagonist në aksionin e golit të barazimit 2-2. "Është ai fituesi i asaj ndeshjeje dhe Lëv duhet t’ia dijë për nder dhe ta aktivizojë më shumë”, - ka shtuar ish-lojtari i Bajernit dhe Interit.

Në bankën e të akuzuarve janë më tepër se të tjerët Ilkai Gyndogan, Serzh Gnabri dhe Leroi Sane. Përë këtë të fundit, ish-kampioni i Europës, Mehmet Shol, për “Bild.tv” u shpreh: "Nuk ishte një ndeshje ajo që bëri ai, ishte për turp. Nuk tregoi asgjë." Sane bëri pa dashje diçka të mirë në ndeshjen e fundit. Ai bëri një gafë në pasim para portës hungareze, ku nëse gjermanët do shënonin, do të ishin të parët në grup dhe gjatë rrugës do të kishin kundërshtarë si Italia, Spanja, Portugalia dhe Belgjika. Tani, nëse kalojnë Anglinë, ndeshen me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.

Sane gjatë ndeshjes me Hungarinë. Gazeta Si, 26 qershor 2021

Ndoshta Gjermania e kërkoi vetë vendin e dytë, sepse përveçse evitoi skuadra të mëdha, shkon në stadiume legjendare, ku ka bërë lavdi, në “Wembley” (Europiani ’96) dhe “Olimpico” (Europiani ’80 dhe Botërori ’90). Një shenjë e mirë. Megjithatë, kalimi i grupit nuk e shpëton trajnerin Lëv, për të cilin tani ka edhe një batutë: “Jogi bëri gjithçka për të mos i çuar lojtarët në një vend me rrezik Covid-i si Anglia. Por edhe në këtë rast nuk ia doli”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë