Politike

Letra e qeverisë për Parlamentin / Konfirmohet nisja e negociatave për anëtarësim në BE

Nga Gazeta Si- Gjithçka është zyrtare! Shqipëria do të nisë edhe konkretisht negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian. Kryeministri Edi Rama duhet të ketë marrë frymë i lehtësuar të mërkurën e 25 shtatorit, kur Presidenca Hungareze e Bashkimit Europian i dorëzoi zyrtarisht qeverisë sëShqipërisë dokumentin negociues, në bazë të tëcilit do të zhvilohen negociatat. Dorëzimi i dokumentit të quajtur “Pozicioni Negociues”, konfirmon qendrimin zyrtar të Bashkimit Europian për të nisur negociatat për anetarësimin me Shqipërinë. Mallkimi i Godosë, personazhit të Samuel Becket-it, që nuk vinte kurrë dhe me të cilin Kryeministri Rama identifikonte BE-në në raport me Shqipërinë, duket se është prishur. Gazetasi.al ka parë korrespondencën mes institucioneve përgjegjëse për për këtë çështje, duke konfirmuar se procesi do të nisë me grupin e parë të kapitujve, të quajtur “Themelorët”. Në të bëjnë pjesë kapitujt e drejtësisë, luftës ndaj krimit të organizuar, luftës kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut, prokurimet publike, statistikat.

Ky është kapitulli që hapet i pari dhe mbyllet i fundit në procesin e gjatë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nga ana e saj, Shqipëria nuk do të vonojë asnjë ditë për të bërë pjesën e saj në miratimin e dokumentave. Hapi i parë i takon Kuvendit të Shqipërisë përmes Komisionit të Integrimit Europian, i cili drejtohet nga deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Qeveria i ka kërkuar Parlamentit ta shqyrtojë çështjen me prioritet të lartë dhe me procedurë të përshpejtuar. Për këtë arsye, mbledhja e komisionit është thirrur të premten, jashtë radhës së zakonshme të takimeve. Rendi i ditës së mbledhjes ka vetëm një pikë në planin e punës: miratimin e  draftit të Pozicionit Negociues, një dokument i përgatitur nga Grupi Negociator, në bazë të raportit screening të Bashkimit Evropian.

“Në përputhje me procedurat dhe afatet e Bashkimit Evropian, dokumenti (mbas shqyrtimit nga Komisioni dhe miratimi nga Këshilli i Ministrave) pritet të dërgohet pranë Bashkimit Evropian brenda një kohe shumë të shkurtër për t'i hapur rrugë procedurës (me vendet anëtare) për çeljen e negociatave për Grupin e Parë të kapitujve "Themeloret" dhe organizimit të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, në mundësinë më të parē (indikohet paraprakisht rreth mesit të tetorit 2024)".-thuhet në dokumentin informues të Kryenegociatores shqiptare për Komisionin e Integrimit Europian.

Bashkimi Europian ka vënë në dukje gjithmonë domosdoshmërinë për transparencë të institucioneve, por negociatat për anëtarësim mund të mos jenë kaq të hapura gjithmonë. Përkundrazi! Në disa prej kapitujve, kërkohet konfidencialitet. Që do të thotë se pas kaq vitesh pritje, negociatat do të hapen, por dyert pas të cilave këto negociata zhvillohen, mund të mbyllen!

Të paktën për kapitujt që konsiderohen sensitive dhe mund të kenë sekrete tregtare për të ruajtur. Një parashikim që edhe qeveria e vë në dukje në informacionin që i dërgon Kuvendit për marrjen e dokumentit nga Presidenca Hungareze.

“Sjellim githashtu në vëmendjen tuaj parashikimet e pikës 7 të Ligjit Nr. 15/2015 "Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës sẽ Shqipërisë nëBashkimin Europian", i ndryshuar, mbi konfidencialitetin e pozicioneve negociuese nga zyrtarët dhe deputetet qẽ do të njihen dhe marrin në shqyrtim "Themeloret".”- thuhet nëdokumentin e qeverisë për Kuvendin.

2-3 javët në vazhdim do të jenë të ngarkuara në Tiranë dhe në Bruksel, ku mbetet për t’u marrë ende vendimi politik në nivel ministrash të vendeve anëtare. Por për Shqipërinë nuk priten më surpriza. Godoja ka vendosur të ulet në tryezën e negociatave. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë