Politike

Letra e dytë / Bardhi, Spiropalit: Në çdo rast duhet mbledhur Kuvendi pastaj Këshilli për mandatin e Xhaçkës  

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi,  ka reaguar në një përgjigje të dytë drejtuar Kuvendit, pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali thirri më 27 gusht Këshillin e Legjislacionit për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Gazment Bardhi në shkresën drejtuar kryetares së Kuvendit i kërkon që të mbledhë sesionin e jashtëzakonshëm brenda afatit.

“Mbledhja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga jo më pak se një e pesta e sesionit ta caktojë brenda periudhës ‘3 ditë nga paraqitja e kërkesës,” shkruan kreu i Grupit të PD-së, duke shtuar se: “Kjo buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta, e cila nuk e ka lënë opsionale mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, por ka urdhëruar që ‘Kuvendi mblidhet’, duke shmangur përdorimin e togfjalëshit ‘mund të mblidhet”

Ai shprehet se mbledhja e Këshillit të Legjislacionit është e panevojshme, për shkak se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka nevojë për vlerësim dhe për më tepër është një çështje e përsëritur dhe në vijim të një tjetër vendimi të Gjykatës Kushtetuese”.

Edhe në rast të kundërt, Bardhi shkruan se para se të mblidhet Këshilli duhet më parë të mblidhet Kuvendi.

“Si rregull, mbledhja e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm, pra në një seancë plenare të jashtëzakonshme, paraprihet edhe nga mbledhja e organeve të tjera të Kuvendit, pra të komisioneve apo këshillave parlamentar. Për këtë arsye, pika 2 e nenit 42 të Rregullores së Kuvendit, ka vendosur dy detyrime për Kryetarin e Kuvendit, për thirrjen e një sesioni të jashtëzakonshëm: 1- Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës; 2- Caktimi i një rendi të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare brenda këtij afati. Konkretisht, në zbatim të nenit 74, pika 2 dhe 3, të Kushtetutës, neni 42, pika 2 e Rregullores”, shkruan Bardhi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë