Me një letër zyrtare, Federata Shqiptare e Futbollit drejtuar dy ministrive, Ministrisë të Shëndetit dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, drejtuesit e futbollit në Shqipëri kanë bërë një tjetër përpjekje për të bindur autoritetet për rifillimin e kampionatit në Shqipëri.

Me anë të kësaj letre, e dyta pas asaj të fillimit të pandemisë, FSHF kërkon nga këto dy ministri krijimin e një grupi të përbashkët pune për implementimin e një protokolli të rreptë për sigurinë shëndetësore, që është hartuar pas konsultave me ekspertë të FIFA-s dhe UEFA-s, si dhe me stafin mjekësor të Kombëtares.
Sipasprotokollit të hartuar stadiumi do të jetë i ndarë në tre grupe personash sipas karakteristikave te aktivitetit që kryejnë (Zona): Grupi i kuq (Zona 1, Fusha) përbëhet nga lojtarët, trajnerët, stafi teknik dhe zyrtaret e ndeshjes. Grupi blu (Zona 2, Tribuna) përbëhet nga personat e transmetimeve TV, Stafi dhe Delegacionet e ekipeve dhe disa nga përfaqësues të tjerë të mediave. Ky grup mund të hyjë në stadium, por duhet të mbajë një distancë nga grupi i gjelbër (Zona 1). Grupi i verdhë (Zona 3, Përreth Stadiumit) përfshin persona të tjerë.

Në një ndeshje mund të marrin pjesë deri në 165 persona, ku përfshihen futbollistët, stafet teknike, delegacionet e klubeve, mediat, si dhe forcat e sigurisë dhe ato të policisë. Por, për shkak të ndarjes në zona, nuk do të jetë i mundur grumbullimi I më shumë se 90 personave në të njëjtën kohë. Federata gjithashtu parashikon teste të rregullta për lojtarët dhe stafin teknik. Ndër të tjera, duhet që rezultatet e testit të lojtarëve të bëhen të ditura jo më së vonë se ora 10 e mëngjesit të ndeshjes. Në rast të një testi pozitiv me COVID-19 te një lojtari ose pjesëtari te stafit teknik, nuk duhet të bëhet raportim i menjëhershëm në media, por personi i prekur duhet të izolohet menjëherë dhe personat që ai ka patur kontakt të duhet të testohen, nuk është e nevojshme që i gjithë ekipi të karantinohet .

Protokolli, parashikon zhvillimin e seancave stërvitore dhe masave higjienike, që duhet të zbatohen nga stafet dhe lojtarët. Veç të tjerave, FSHF propozon si masë shtrënguese ndalimin e fëmijëve shoqërues, fotografitë, shtrëngimin e duarve apo edhe intervistat e futbollistëve para dhe pas ndeshjeve.

Koha nuk pret dhe klubet kërkojnë me çdo kusht që të luhen ndeshjet e mbetura dhe të jetë fusha ajo që do të vendosë për fatet e sezonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




