Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme ka vijuar sot seanca e radhës ndaj të pandehurve të akuzuar për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020 në kompleksin “Golden” në Pjezë të Shijakut.
Gjatë seancës, prokurori i SPAK, Behar Dibra deklaroi se ka nisur disa letër-porosi tek autoritetet e huaja për të siguruar kodet dhe komunikimet në “Sky Ecc” për persona të tjerë të përfshirë në çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.
Përmes një letërporosie, të relatuar në seancën e së mërkurës në Gjykatën e Posaçme, pala britanike kërkonte informacion shtesë në lidhje me pyetjen e vëllait të Jan Prengës, Astrit Prenga dhe Gëzim Shullanit.
Në shkresës e britanikëve, i kërkohet gjykatës dhe SPAK detaje se si janë përfshirë këta persona në dosjen hetimore, se pse janë të dyshuar dhe cilat prova apo dëshmi do të japin si dhe adresat e plota.
Gjykata ka kërkuar që Prokuroria të gjejë adresat e sakta se ku atje janë dhe jo të shënohet “Londër” Angli.
Në shkresën që ka mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë nga homologët britanikë, thuhet:
“Para se të rishqyrtojmë kërkesën tuaj, duam të dimë statusin penal të personave që do dëshmojnë, detaje mbi pyetjet që do t’u jepen shpjegime, akuzat për të cilat duhen marrë në pyetje dëshmitarët, sesi mund të shërbejë dëshmia e tyre në hetimin e SPAK. Të ngarkohet policia britanike për të bërë pyetjet që autoritetet shqiptare do të na vënë në dispozicion”.
Ndërkaq, sot, 4 qershor, gjykata duhet të marrë vendim nëse do t’u pajisë mbrojtësve komunikimet e plota të SKY ECC. SPAK, i përfaqësuar nga dy prokurorët, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra, thonë se për këtë çështje, komunikimet janë të plota përsa i shërbejnë kësaj dosje.
Mirëpo, avokatët kundërshtojnë pikërisht përzgjedhjen nga ana e SPAK e tyre atyre që ata konsiderojnë prova, në një kohë kur komunikimet që mungojnë mund t’i shërbejnë mbrojtjes efektive të klientëve të tyre.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesditën e 17 janarit 2020 në Kamzë. Sipas pamjeve filmike, Jan Prenga u dërgua me një “Rang Rover” të bardhë në garazhin e në resorti në Shijak, aty ku dyshohet se ka humbur jetën. Më pas trupi i tij u zhduk për të mos u gjetur as sot e kësaj dite.
Për ngjarjen, ka dëshmuar më herët në GJKKO, Dritan Rexhepi. 45 vjeçari ka mohuar para togave të zeza, çdo lloj implikimi të mundshëm, duke theksuar se asokohe ka qenë i burgosur në Ekuador.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.