Një fëmijë i pabindur dhe mistrec ka denoncuar gjyshen në polici dhe pas saj edhe të ëmën. As më pak dhe as më shumë, por për t’u ankuar për rregullat e gjyshes që prej kohësh kontrollonte në rrobat e tij për të zbuluar cigare, por pa rezultat.
Disa herë e moshuara dhe e ëma sipas tij ia kanë sjellë në majë të hundës, me kërkesat e llogarisë duke e pyetur për erën e rrobave. Burime të gazetës Si treguan se si fëmija me inicialet S. Th shkoi në policinë e Farkës dhe kërkoi një psikolog, duke hapur një çështje ndaj dy grave që po e rrisin për akuzën e keqtrajtimit të të miturve. Burimi policor i gazetës Si, theksoi se fëmijës i kërkohej shpesh mos të qëndronte aq gjatë në internet dhe mos të shkonte ngado me telefon, por se duhej të lexonte.
Fëmija tregon “isha duke luajtur një lojë me një vajzë të klasës dhe kur po shkonte ora 00.30 u afrua mamaja e mamit. Më tha – o mut çfarë bën akoma zgjuar”. 13-vjeçari me inicialet S. Th pretendon në polici se e moshuara pasi e ka goditur me shpulla meqenëse ai nuk dëgjonte të shkonte ne krevat, gjyshja ka marrë më pas shkopin e byrekut. Por ky version i ndodhur ne mesnatë në një banesë private në zonën e Lundrës, pavarësisht se i ka vendosur dy gratë në pozicion të vështirë, do t’i përfshijë fëmijën dhe vëllain e tij në një proces psikologjik për të zbuluar të vërtetën. Nëse bëhet apo jo fjalë për gjyshe të ashpër dhe për një nënë jo tolerante do ta zbulojmë pasi të vlerësojmë marrëdhënien e dy vëllezërve me babain e tyre, i cili pas divorcit ka krijuar familje të re dhe gratë e akuzojnë se ai po i mëson që të jenë të pabindur.
“Më qëlloi me shkopin e byrekut, unë e shava, pastaj erdhi mami e më qëlloi me një shuplakë. Por gjyshja bërtiste që isha mësuar keq, që duhet të flija, që rrija tepër në telefon dhe kompjuter. Ajo më përplasi kokën në mur dhe më qëlloi prapë me shkop në shpatull. Mami u nxeh dhe ia hoqi shkopin e byrekut dhe deshi ta qëllojë, ato të dyja u zunë dhe u kapën me thonj dhe u gërvishtën”, thekson 13-vjeçari që këmbëngul se gjyshja ishte e ashpër dhe kërkonte rregull prej tij dhe të vëllait më të vogël. Por asnjëri prej tyre nuk iu bindet. “Rrobat tona vijnë erë duhan, ne e pranojmë duhanpirjen. Mami mërzitet, gjyshja bërtet”, kanë thënë njëzëri në polici të dy djemtë.
Në lidhje me ngjarjen që i çoi të katërt në polici, burimet e stacionit të Farkës citojnë se si në një moment sipas asaj që tregon 13-vjeçari, kur gjyshja me të bijën janë përleshur për shkak të tij, ai është çapitur për të marrë telefonin. Fëmija tregon se shpresoi që kjo gjendje zgjidhej vetëm po qe se do të njoftonte uniformat blu. Por gjyshja e ka kërcënuar “fëmijë i keq mos e njofto policinë”.
Më vonë kur policia mundi që të njoftohet nga fëmija në numrin pa pagesë dhe ka dërguar në komisariat të dyja gratë nënë e bijë, si dhe fëmijët e kësaj të fundit, të pyetur veç e veç secili prej tyre ka dëshmuar se si mesnata u kthye përmbys dhe atyre iu doli gjumi nga të bërtiturat.
Vëllai i fëmijës që kreu denoncimin tregon se atë natë e dëgjoi 13-vjeçarin të thoshte “do vras veten, ma nxitë, më kërkoni llogari të gjithë”.
Kur policia pyet vëllain e dytë se përse acarohej gjyshja ai ankohet edhe për të edhe për të ëmën. “Para dy ditësh mami më qëlloi se sipas saj bie era cigare dhe ajo nuk po e gjente dot ku e kisha fshehur paketën. Gjyshja është e inatosur me ne, pasi ajo dëgjoi mamin që na akuzonte se ne pimë cigare. Ajo kërkon që ne të mësojmë më tepër, por vëllai tjetër nuk i bindet. Edhe unë bëj si vëllai”.
Policia shton se dy vëllezërit janë fëmijë të një çifti që i kanë dhënë fund martesës. “Nga të dhënat e deritanishme, – shton efektivi i policisë për gazetën Si pranë policisë së Farkës – dy djemtë jetojnë me të ëmën dhe gjyshen dhe mund të ndodhë që ata të frymëzohen nga i ati për këto skena dhune.
Për ta konfirmuar këtë dyshim zyrtarisht policia thekson se mori në pyetje edhe babain e dy djemve të mitur. Ai përshkruan “rreth orës 15.00 shkova për të marrë fëmijët tek ish-bashkëshortja, pasi kështu e ka urdhëruar gjykata. Në fillim takova djalin më të madh dhe pashë që kishte gërricje në fytyrë dhe në qafë dhe e pyeta. Ai më tregoi se ishte rrahur pasi pinte duhan. Iu thashë fëmijëve që të bënin video kur ndodhte kjo gjë”, dëshmon burri.
Çfarë thotë gruaja dhe e ëma
Por me forcë kundërshtojnë këtë pistë e ëma e dy fëmijëve dhe gjyshja e tyre. Ajo sipas policisë bën fajtor ish-burrin, që e shikon si nxitës dhe i detyron fëmijët të fantazojnë skena të paqena. “Pas procesit të divorcit, gjykata ma dha kujdestarinë. Ish-partneri nuk u dakordësua me këtë vendim. Sa herë i takon, ai i nxit fëmijët që të krijojnë konflikte të paqena me mua dhe nënën time. Ai nuk është mjaftuar me kaq pak. I frymëzon fëmijët që të dalin e të vjedhin. Është e vërtetë, në mbrëmje ime më më tregoi se djali pinte duhan. Ju mora erë rrobave të tyre, ata pinë duhan dhe hashash dhe për këtë gjë u kam bërtitur”. Të njëjtën gjë pretendon dhe gjyshja. “Ndihmoj vajzën për rritjen e tyre dhe i kritikoj, pasi ju dua të mirën. Fëmijët po nxirren mendsh nga i ati”. Kaq ka thënë e moshuara, duke përmbyllur se “çdo gjë tjetër do ta flas në një moment tjetër”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.