Gazeta Si – Emri Leo nuk del nga moda në Spanjë. Në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sepse, pavarësisht se Mesi u largua në mesin e 2021-ës, emri i tij është ndër më të preferuarit nga prindërit për fëmijët e sapolindur.
Disa dashuri nuk përfundojnë kurrë, edhe pse në fushë herët a vonë duhet të përshëndetesh. Askush nuk e priste që verën e 2021-shit Leo Mesi të linte Barcelonën, por problemet financiare të katalanasve bënë që të ndodhte diçka e tillë.
‘Pleshti’ larg ‘Camp Nou’-t. Një goditje e fortë, por futbolli vazhdon. Te Barcelona duhet të kënaqen tani me ardhjen e Lvandovskit, klasin e Pedrit etj., ndërsa Mesi kërkon një dimension të ri në Paris.

Por a mund ta harrojnë tifozët atë që ka përfaqësuar Barcelonën për më shumë se 10 vjet? Jo, absolutisht. E tregojnë statistikat. Sipas ‘Mundo Deportivo’, emri Leo nuk del nga moda.
Ky emër është ndër më të përdorurit në provincën e Barcelonës. Të dhënat e Institutit të Statistikave në Katalonjë flasin qartë. Para se Mesi të vinte te Barcelona, asnjë fëmijë nuk quhej Leo.
Në 2005-n, vitin e debutimit të argjentinasit me skuadrën e parë, ishin 25 Leo të porsalindur. Rritja më pas ishte impresionuese dhe emri i ‘Pleshtit’ u ngjit në vendet e para të emrave më të përdorur te meshkujt.
Shifra më e lartë u arrit në 2019-ën, kur 500 djem u quajtën Leo. Dhe ky emër u ngjit në vend të dytë në Katalonjë, pas klasikut lokal, Mark.
Për 2020-ën dhe 2021-shhin, fëmijët me emrin Leo duhet të kënaqen me vendin e 5-të, pas Markut sigurisht, por edhe Nil, Pol dhe Jan.
Ajo që habit është se edhe pas lamtumirës së lojtarit në mes të 2021-shit nuk ka pasur rënie në pjesën e dytë të vitit. Përkundrazi, janë dy Leo më shumë se në 2020-ën, kur ishin 422 ndaj 424 të 12 muajve të kaluar.
Tani kurioziteti është çfarë do të ndodhë në vitin e parë të vërtetë pas Mesin? A do ta harrojë Katalonja këtë emër?!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




