Futboll

“Leo Mesi krokodil? Mungesë respekti”. Dy kampionë kritikojnë ashpër Poketinon

Imazhi i Mesit që shtrihet pas murit gjatë ekzekutimit të një goditjeje dënimi të Mançester Sitit ka bërë xhiron e botës, ashtu si dhe goli i tij i parë me fanellën e PSG-së. Dy ish-kolegë të sulmuesit argjentinas, Hargrivs dhe Ferdinand, tani opinionistë, nuk pajtohen aspak me atë veprim dhe kritikojnë trajnerin Poketino.

Mesi ne versionin “krokodil”. Gazeta Si, 30 shtator 2021

Nuk kanë munguar as komentet tallëse në rrjetet sociale, sepse për shumë është e paimagjinueshme që të shohësh një kampion të madh si Mesi që të bëjë “krokodilin”, siç quhet tashmë lojtari që shtrihet pas murit për të evituar ndonjë gjuajtje rrafsh me tokën nga kundërshtari. Dikush tjetër nuk është argëtuar aspak nga ajo pamje, ndoshta nga vetë Mesi i pari, që nuk dukej i bindur me atë ide.

Vendimin e trajnerit të PSG-së e kanë kundërshtuar gjatë komentit për “BT Sport” dy ish-lojtarët e Mançester Junajtid, Ouen Hargrivs dhe Rio Ferdinand. I pari ka thënë se nuk është një ndjenjë pozitive ta shohësh Mesin në atë situatë: “Nuk po u besonim syve. Po flasim për një nga më të mirët e të gjitha kohërave, në mos më të mirin”. Mesi është i shkurtër dhe kjo mendohet se është aryseja pse Poketino vendosi t’i japë atë detyrë.

Rio Ferdinand, ish-lojtar i Mançester Junajtid, tani opinionist. Gazeta Si, 30 shtator 2021

Me teknikun e PSG-së është kapur direkt Rio Ferdinand, i cili ka theksuar: “Në momentin që Mauricio Poketino i ka kërkuar ta bëjë këtë gjë në stërvitje, dikush duhej të shkonte e t’i thoshte ‘jo, jo, jo, jo, kjo gjë nuk mund të ndodhë me Leo Mesin’. Është mungesë respekti. Nuk do ta pranoja kurrë. Të isha shok skuadre, do t’i thosha trajnerit ‘jo, e bëj unë në vend të tij’. Nuk do lejoja kurrë që të shtrihej në fushë, është diçka që nuk mund të shihet. Mesi nuk mund të bëjë punën e pistë, nuk është për të”. Nga ai episod mund të lindë një tjetër polemikë, pas tensionit për zevendësimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë