Gazeta Si – Në një intervistë për ‘TyC Sports’, Leo Mesi ka folur edhe për ‘Finalissima’. Para ndeshjes së Argjentinës me Italinë, që luhet të mërkurën, ai nuk i kurseu fjalët e ëmbla për ‘axurrët’.
“Italia është kampione e Europës. Nëse do të ishte kualifikuar për në Kupën e Botës, do të ishte favorite”, – u shpreh numri 10 i Argjentinës.

“Ishte vërtet pa fat që u eliminua. Mund të kishte qenë e para në grup, kur kishte mundësinë të fitonte ndeshjen vendimtare. Pastaj shkoi në ‘play off’ dhe mbeti pa Botëror. Nëse Italia do të ishte në short, askush nuk do donte të përballej me të”, – vazhduar Leo Mesi.
Për Argjentinën do të jetë një provë e rëndësishme. “Është një test i bukur për ne, për t’u rritur dhe për t’u përmirësuar. Duam të shkojmë sa më të përgatitur në Botëror,” – theksoi më tej lojtari i PSG-së.
Mesi ka pohuar se Argjentina do të jetë serioze në fushë: “Është një kompeticion zyrtar i FIFA-s, një kupë më shumë për ne dhe duam ta fitojmë. Është për kënaqësi personale, të grupit dhe të popullit argjentinas”.

“E vërteta është se është çmenduri që fituan Europianin dhe nuk janë në Botëror. Për gjithë atë që përfaqëson Italia në historinë e Kupës së Botës. Mëkat! Verrati dhe Donaruma, që i kam në skuadër, janë njerëz të shkëlqyer. Më vjen shumë keq për ta”, – ka shtuar Leo Mesi.
Sezoni me më shumë hije se dritë e ka nxjerrë jashtë garës për “Topin e Artë”. Mesi nuk ka dyshime për atë që e meriton: “Është e qartë, Benzema ka bërë një sezon spektakolar. E ka mbyllur me fitimin e Championsit, esencial në çdo ndeshje. Nuk ka dyshime për këtë vit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




