Ka ndodhur

Lëndë plasëse objektit privat në 2020-ën në Lezhë, kapet autori i tretë i dyshuar

Gazeta Si – Kur kanë kaluar rreth dy vite e gjysmë nga shpërthimi me tritol në objektin në ndërtim të biznesmenit Liman Gjoka në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, policia e Lezhës ka arrestuar një person të dyshuar si porositës të ngjarjes.

Shtetasi Zef Kola, banues në Tiranë, është ndaluar me urdhër të prokurorit të çështjes Françesk Ganaj, i cili pas hetimeve me metoda speciale ka arritur të zbardhë plotësisht këtë ngjarje.

Si autor të vendosjes së lëndës plasëse më herët janë dënuar me burg nga Gjykata e Lezhës dhe 2 autorët Erald Pajtani me 4 vite burg dhe Angli Stafuka me 2 vite, që të dy banues në Fushë-Krujë.

Objekti në ndërtim i biznesmenit Liman Gjoka u sulmua dy herë me lëndë plasëse, në muajit nëntor dhe dhjetor të vitit 2020, ndërsa për shpërthimin e dytë ende nuk është arritur të zbardhet.

Shkak i këtyre ngjarjeve në atë kohë dyshohej të ishin bërë konfliktet e pronësisë në lidhje me truallin ku po ndërtohej objekti disa katesh.

Tashmë Zef Kola, akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese e municionit luftarak”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë