Futboll

Leksioni i Karim Benzema, sekretet e kampionit më të nënvlerësuar në botë

Fatjon Rupi – Real Madrid bazohet te qendërsulmuesi dhe kapiteni i tij, Karim Benzema, ashtu siç bazohej pak vite më parë te Kristiano Ronaldo, të cilin francezi mbështeste në lojë. Njihuni me sekretet e një kampioni, me të cilin futbolli është në ‘borxh’… Dhe ka shumë për të mësuar.

Një ushtrim i dobishëm për të jetuar më mirë do të ishte të mbanit në portofol një foto të Benzema, si atë të një shenjtori, dhe të shihnit për të marrë forcë sa herë ndiheni të injoruar, snobuar, të nënvlerësuar dhe në plan të dytë.

Karim Benzema feston nje gol ndaj PSG-se. Gazeta Si, 12 mars 2022

Mund ta bëni këtë, kur personi që dashuroni aq shumë zgjedh një tjetër, kur shefi i beson një kolegu tjetër një punë të rëndësishme që ju donit ta bënit, kur dikush duket një gjeni, duke thënë diçka që ju e kishit menduar më parë, kur bota ju duket shumë e madhe, krevati shumë i vogël, pjata shumë bosh kur keni shumë uri dhe shumë e mbushur, kur jeni me dietë.

Në të gjita këto raste ju ndihmon të mendoni për Benzema, atë që për gjysmë ore ‘hëngri’ PSG-në e sheikëve dhe yjeve: nuk është dorëzuar kurrë, nuk e humbi përqendrimin, mbushi një repart që mund të humbte shumë lehtë busullën, priti momentin e tij dhe ‘kafshoi’ tri herë.

Benzema me shiritin e kapitenit ne krah. Gazeta Si, 12 mars 2022

E bën prej kohësh këtë gjë, Benzema pret momentin, edhe pse askush nuk e pret atë. Sot garon me Levandovskin për qendërsulmuesin më të mirë në Europë, me diferencën që polaku është mja e ‘shtizës”, kurse ai duhet të bëjë edhe ‘dorezën’, edhe ‘armaturën’. Po, sepse është më i nënvlerësuari.

Benzema këtë vit, në 37 ndeshje ka shënuar 34 gola dhe ka dhënë 10 asiste, – Leva shënon më shumë, por jep më pak asiste, – dhe duke qenë se nuk është sezoni i parë që e bën këtë gjë, në vjeshtë kishte zëra se francezi mund të fitonte “Topin e Artë”.

Për Benzema kanë thënë: “Di të bëjë gjithçka, është mbi të tjerët” (Zidan); “Nëse nuk është këtë vit, do të jetë vitin e ardhshëm, sepse bëhet më i mirë, si vera” (Ançeloti); “I takon atij ‘Topi i Artë’ edhe për karrierën, gjithmonë në nivel të lartë” (Modriç). Çmimin individual e fitoi Mesi dhe ai doli i katërti. Për Benzema mjafton, e ka palmaresin plot si Mesi, që i është gëzuar talentit, kurse francezi ka punuar shumë.

Për vite me radhë, kur thoshe Benzema mendoje menjëherë atë lojtarin që i shërbente Kristiano Ronaldos. Të jesh përkrah njërit prej dy lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, është e vështirë të jesh po në atë nivel. Që kur CR7 kaloi te Juventusi, francezi nuk ka zbritur asnjëherë poshtë 25 golave në sezon. Shkuan në të njëjtën kohë te Reali dhe Benzema mbeti në hije.

Florentino Perez shpenzoi 150 milionë euro, – shifër jashtë çdo koncepti në atë kohë, – për Kristiano Ronaldon dhe Kaka. Benzema ishte ylli i Lionit, një i ri tek i cili duhej besuar. Kishte shënuar rreth 20 gola në Francë dhe shkonte te një sulm, ku opsionet e tjera ishin Raul, Van Nistelroj dhe Higuain. Në mënyrë natyrale fitoi vendin e titullarit në dy vjet.

Si te Lioni, kur e grumbulluan adoleshent në skuadrën e parë dhe Benzema tha fjalët e para. Ai hipi në karrige dhe tha: “Përshëndetje djema, ju dua të gjithëve, por më vjen keq, kam ardhur këtu për të fituar një fanellë”. Në gjithçka duket sikur sulmuesi është nënvlerësuar nga ambienti që e rrethon. Franca, për shembull, e thirri të ri, e anashkaloi kur doli historia e ‘sextape’ me Valbuenën, – Benzema akuzoi sistemin për racizëm, – dhe e riktheu pas 6 vjetësh, pas revoltës së popullit.

Benzema me fanellen e Frances. Gazeta Si, 12 mars 2022

Shpesh ka thënë se zemra e tij është për Algjerinë, vendin e gjyshërve. Dhe shpesh ia kujtojnë, por ai ka kaluar Trezege, Zidan dhe Papen mes shënuesve më të mirë të Francës dhe ndoshta pa largimin e detyruar do të kishte marrë fronin e Henri. Edhe në videolojëra shpesh e kanë bërë më pak të fortë se sa është në realitet.

Kur shkoi në Madrid, krahasimi ishte me Ronaldon tjetër, fenomenin, sepse pikërisht si ai kishte katër ‘rrota’ dhe një progresion të jashtëzakonshëm. Benzema u bë edhe lojtari i preferuar i Ronaldos brazilian, por për një arsye tjetër: “Është inteligjent, e kupton lojën”, – thoshte ai në intervistat e para.

Dhe kjo është një cilësi, që Benzema e ka rafinuar me kohën. Mjafton të shohësh tani, 13 vite pas xhonglimeve të para në “Bernabeu”: e kupton lojën një sekondë para të tjerëve, niset topi dhe ai e ka kuptuar aksionin. Është një monstër i këmbënguljes, di të jetë më i miri, sepse di të sillet edhe kur më të mirin e bën dikush tjetër, bën lojë skuadre dhe e zgjidh atë, ka ngritur 28 trofe në karrierë.

Karim Benzema. Gazeta Si, 12 mars 2022

Dhe Reali i Ançelotit, duke u kapur fort te Benzema, është i pari në kampionat dhe sheh përpara me optimizëm në Ligën e Kampionëve. Si në kohët e Kristiano Ronaldos, që nuk po kalon kohë të mira në Mançester. Mes tij dhe Benzema, sot, cilin do të zgjidhnit?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë