Motosport

Leklerk përplaset me barrierat, Vershtapen e falënderon dhe fiton në Francë

Gazeta Si – Maks Vershtapen fiton Çmimin e Madh të Francës, pas gabimit fatal të Leklerk, i cili u përplas me barrierat në xhiron e 18-të, kur ishte në komandë të garës. Nga aty gjithçka u bëmë e lehtë për kampionin e botës.

Ferrari i Leklerk pas përplasjes. Gazeta Si, 24 korrik 2022

Holandezi regjistron fitoren e 7-të të Botërorit 2022, duke u arratisur në kreun e klasifikimit. Podi i garës së sotme është kompletuar nga Ljuis Hemilton dhe shoku i tij i skuadrës, Xhorxh Rasëll.

Perez e mbylli në vend të 4-t, para Karlos Sainz, autor i një rikuperimi të jashtëzakonshëm nga fundi. Por kjo nuk mjafton për të ndushëlluar Ferrarin, sepse kishte një shans të artë për fitore në garën e 12-të sezonale.

Leklerk mori komandën në fillim dhe rezistoi pa shumë vështirësi ndaj sulmit të parë të Vershtapen. Në pjesën finale të xhiros së futjes në bokse, Leklerk humbi një pjesë të makinës në kthesën e dyfishtë të Le Beausset, më pas u rrutullua dhe u përplas me barrierat.

“Nuk mund t’ia lejoj vetes të tilla gabime. Është krejtësisht faji im”, – tha i dëshpëruar Leklerk pas incidentit që e nxorri jashtë garës së Francës.

Vershtapen më pas nuk pati vështirësi, ai kontrolloi kundërshtarët dhe kaloi finishin para dy makinave Mercedes. Hemilton zhvilloi garën e 300-të në karrierë me një paraqitje shumë të mirë, duke arritur rezultatin më të mirë të mundshëm.

Për t’u duartrokitur edhe Rasëll, piloti tjetër i Mercedesit. Ai zuri vendin e tretë pas një dueli të fortë me Perez.

Maks Vershtapen e çon në 63 pikë avantazhin ndaj Leklerk në klasifikimin e pilotëve (233 ndaj 170). Perez është vetëm 7 pikë larg francezit (163). Vetëm 1 pikë ndan Sainz nga Rasëll (144 ndaj 143), kurse Hemilton tani ka 127 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë