Motosport

Leklerk dominon në Melburn dhe nis shkëputjen në krye, tërhiqet Vershtapen

Gazeta Si – Shkon për francezin e Ferrarit edhe gara e tretë e Botërorit. Ai ka nisur të shkëputet në krye të klasifikimit, duke përfituar edhe nga tërheqja e kampionit në fuqi.

Sharl Leklerk ka dominuar edhe garën e tretë të Botërorit 2022. Ai ka fituar Çmimin e Madh të Australisë, duke regjistruar kështu suksesin e dytë sezonal. Francezi ishte i pakapshëm, ndërsa Serxhio Perez dhe Xhorxh Rasëll kompletojnë podin e garës së Melburnit.

Ishte një garë e dominuar nga piloti i Ferrarit dhe e vendosur nga tërheqja e kampionit të botës, Maks Vershtapen, në xhiron e 39-të, pasi një problemi të ‘power unit’ në makinën e tij. Ljuis Hemilton nuk shkoi më shumë se vendi i katërt në këtë garë. Pas tij kaluan finishin dy makinat MekLaren të Lando Norris dhe Riçardo.

Leklerk ka përjetuar një fundjavë të jashtëzakonshme në Australi, ku dominoi totalisht. Ai fitoi “pole position” të shtunën, sot fitoi edhe garën, ku gjithashtu bëri edhe xhiron më të shpejtë, duke fituar të tjera pikë. Piloti tjetër i Ferrarit, Karlos Sainz, u tërhoq në xhiron e dytë.

Pas tri garash, Sharl Leklerk udhëheq klasifikimin e përgjithshëm të pilotëve me 71 pikë. Ai dhe Ferrari këtë sezon duken në rrugën e duhur dhe ky start mjaft i mirë ka bërë që tifozët e skuderisë italiane të ëndërrojnë rikthimin në kohët e arta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë