Ngjarje

‘Lekët nuk na dalin as për ilaçe’, pensionistët protestojnë para qeverisë

Nga Gazeta Si- Dhjetra pensionistë u mblodhën ditën e sotme përpara Kryeministrisë për të protestuar duke kërkuar rritjen e pensioneve.

Një i moshuar u shpreh se kërkon rritjen e pensionit në 400 mijë lekë të vjetra në muaj ndërsa theksoi se nuk duhet të ketë pension nën këtë shifër.

Pensionistët kanë treguar se nuk e përballojnë dot jetën me pensionet që marrin, duke thënë se kanë punuar gjithë jetën për të ndërtuar vendin dhe sot marrin një pension që nuk iu del as për ilaçe.

“Nëse fëmijët tanë nuk do të na ndihmonin, këtu do të ishte derdhur gjaku në gju, aq keq është situata me pensionet”, tha një nga pensionistët që ishte në protestë.

Një tjetër tha se e shikon situatën shumë keq për aq kohë sa nuk blen dot një akullore për nipërit dhe mbesat.

“Vjen nipi me mbesën, gjyshi nuk u jep dot një akullore. Këtu është bërë ku thërret qameti. Nuk ka as arsim, shëndetësi, as mjedis, të biesh në tokë s’ke një stol”, tha Vladimir Dushniku.

"Të ballafaqohet me mua Rama dhe jo të largohet kur nuk i pëlqen. Mbi 50% e pensionistëve nuk kanë vite pune se u shkatërruan fabrika e uzina dhe ngelën pa punë. Nuk është faji i këtyre pensionistëve që nuk kanë dokumente. Duhet t’i njohë se njerëzit kanë vite që punojnë. Siç tha për kooperativistët, ashtu duhet edhe për ndërmarrjet që u zhdukën. Ç’faj kam unë që punoj në këto ndërmarrje që nuk derdhin kontribute? Ku janë tatimet? Pres pjesëmarrje në protestë. Reagimi dhe nervozizmi i pensionistëve ka vajtur ku nuk mban më. Por ai nuk e njeh realitetin. Ka mbyllur zyrat, nuk ankohet dot njeri. Kur unë kam një ankesë ku ta adresoj? Gjithë këto probleme që kanë pensionistët, ç’është kjo online? Edhe në SHBA ka online, po kanë zyra”, tha pensionisti.

Protesta vjen dy ditë pasi kryeministri Edi Rama bëri një takim me pensionistët, ku u tha se po diskutohet për një bonus të lartë gjatë fundvitit.

Gjithashtu, Rama tha se do rishikohet e gjithë skema e pensioneve dhe do ketë rritje të pensioneve.

Këto deklarata, pensionistët nuk i marrin të mirëqena, duke thënë në protestë se nuk kanë besim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë