Ka ndodhur

Lejuan prerjen e pyjeve përmes ryshfetit, pezullohen nga detyra 5 policë në Korçë

Pesë punonjës policie në Korçë janë pezulluar nga detyra për shpërdorim detyre, pasi akuzohen se gjatë kontrollit të territorit, kanë favorizuar kundrejt shumave në lekë prerjen, transportin dhe tregtinë e paligjshme të lëndëve drusore nga subjekte të ndryshme të shitjes së lëndëve drusore.

Policia thotë se punonjësit e policisë, kanë krijuar skema fiktive në dokumentacionin shoqërues që këto subjekte përdorin gjatë transportimit dhe kanë kryer kontrolle fiktive në pikat e kontrollit të ngritur me qëllim monitorimin e kësaj veprimtarie të kundraligjshme.

Konkretisht bëhet fjalë për:

– Kryekomisar R.H., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Maliq, aktualisht Shef i Sektorit të Rendit në DVP Korçë, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkatërrimi i pronës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”;

– Inspektor D. L., me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

– Inspektor A. A., me detyrë Trupë shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërimi i pronës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

– Inspektor D. O., me detyrë Trupë shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”;

– Inspektor N. M., me detyrë Trupë shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”,”Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se punonjësit e policisë, Kryekomisar R. H., Inspektor D.L. dhe Inspektor A.A. kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë