Ka ndodhur

Lejuan prerjen e paligjshme të pyjeve, pezullohen dy drejtues të komisariatit në Devoll

Gazeta Si - Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra pasi kanë lejuar prerjen e paligjshme të pyjeve, transportimin dhe tregtimin e lëndëve drusore për llogari të shtetasve të ndryshëm, duke shmangur shtetasit T.D., A.B., dhe N.H., nga përgjegjësia administrative e penale dhe duke dëmtuar interesat e shtetit për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme.

Bëhet fjalë përKryekomisar B.P., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim detyre” dhe Komisar A.B., me detyrë Shef i Seksionit për Rendin në Komisariatin e Policisë Devoll, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim detyre”.

Ata kanë qenë në përgjim për më tepër se 3 muaj dhe dyshohet se kanë lejuar prerjen e paligjshme të pyjeve si edhe transportimin e tyre nga disa shtetas.

Çështja po shqyrtohet në prokurorinë e rrethit gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikqyrjes Policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë