Ka ndodhur

Lejuan ndërtime pa leje të rezidencave në Sauk, arrestohen 5 inspektorë të IMT

Gazeta Si – Një operacion i policisë kundër zaptimit të hapësirave publike dhe ndërtimeve pa leje, ka sjellë arrestimin e 5 inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, ata dyshohet se shpërdoruan detyrën duke lejuar ndërtimin pa leje të tre objekteve në një zonë rezidenciale në Sauk.

Policia tha se janë arrestuar: Gjergji Male, 38 vjeç, Krenar Rexhepi, 48 vjeç, Aldo Dubi, 35 vjeç, Odise Cenaj, 41 vjeç dhe Endri Dervishi, 32 vjeç; ndërsa u procedua në gjendje të lirë inspektorja E. D., 35 vjeçe.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim edhe 3 inspektorët e tjerë të IMT: Xh. M., 32 vjeç, K. D., 37 vjeç dhe A. N., 46 vjeç të cilët akuzohen se me vepimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar ndërtimin pa leje të tre objekteve në këtë zonë rezidenciale.

Policia ka arrestuar edhe drejtuesen teknike B.Xh, 35 vjeçe dhe inxhinierin R.Gj, 36 vjeç të cilët ishin të punësuar për ndërtimin e këtyre tre vilave. Ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëadministratorët E.K, 55 vjeçe dhe S.S, 67 vjeç së bashku me arkitekten E.Sh, 45 vjeçe. Ndaj tyre po zhvillohen hetimet për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm.

Grupi hetimor po vijon punën për kapjen e 6 personave të shpallur në kërkim si dhe për dokumentimin e përgjegjësive për secilin prej 14 personave të përfshirë në këtë rast flagrant në mes të kryeqytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë