Ka ndodhur

Lejuan kultivimin me kanabis në Fier, arrestohen disa zyrtarë policie të Mallakastrës

Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së në Fier, ka lëshuar disa urdhër arresti për disa zyrtarë policie në këtë zonë.

Në pranga ka rënë, shefi i seksionit të krimeve në Mallakastër, Komisar E. M. Nën Komisari i Policisë së Mallakastrës E. V., dhe disa inspektorë. Sipas njoftimit të SHÇBA ato akuzohen për kultivim droge e shpërdorim detyre.

Masat e sigurisë për këtë procedim penal janë nxjerrë në vijim të procedimit penal për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, ku pas hetimeve të kryera, në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike, ngjarje për të cilën më herët janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas.

Ndërsa hetimet për punonjësit e strukturës policore, përgjegjës për këtë zonë, vijuan nga strukturat e hetimit të SHÇBA Fier, ku në vijim të procedimit penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit për një periudhë disa mujore, është bërë e mundur grumbullimi i provave dhe fakteve për këta punonjës policie për veprat penale sipas neneve 238, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Këta punonjës policie dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë periudhës qershor – shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike. Nga hetimi i këtij procedimi penal është bërë e mundur sigurimi i provave ku janë gjetur disa parcela në vende të ndryshme të hapura dhe të mbjella në disa sipërfaqe të njësisë administrative Poçem, Mallakastër.

Hetimet për këtë procedim penal vazhdojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë