Drejtësia

Lejoi hapjen e segmetit rrugor, burg ish-kryebashkiakut të Fushë Arrëzit, Fran Tuci

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-kryebashkiakun e Fushë-Arrëzit Fran Tuci dhe në masën “arrest shtëpie” Ndoc Markun, ish-administrator i Njësisë Administrative Iballë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkatërrim prone.

Në seancën e kësaj të premteje, Tuci mohoi akuzat dhe pretendoi se banorët i kërkuan leje për ndertimin e një rruge për të shkurtuar distancën drejt banesave të tyre.

“Banorët më kërkuan hapjen e një rruge, kishin mbledhur lekët vetë dhe iu dhashë leje”, deklaroi Tuci në gjykatë.

Ish-krybashkiaku sipas SPAK, në kundërshtim me ligjin, ka lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, kap vlerën 234,007,500 lekë, rreth 2 milionë euro, i cili përfshin dëmtimin e terrenit, si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK-së, në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.

Sipas SPAK, punimet për hapjen e këtij segmenti të ri rrugor, janë provuar të jenë kryer nga shtetasi Durim Margjekaj, administrator i një subjekti tregtar privat, ndaj të cilit është caktuar masa detyrim paraqitje në mungesë dhe urdhri ende nuk është ekzekutuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë