Nga Sokol Çunga– You’ve got me on my knees, Layla
I’m begging, darling, please, Layla
Këto janë vargjet nga kënga “Layla”, një nga hit-et muzikore të kompozitorit dhe instrumentistit të mirënjohur Eric Clapton. E ç’punë ka Clapton me dokumentin e mëposhtëm? Ai jo, por Lejla, po.
Në Fondin “Koleksione dorëshkrimesh osmane, arabe e perse” të Arkivit Qendror Shtetëror, Dosja 383, ruhet një dorëshkrim që përmban historinë e dashurisë mes Lejlës dhe Kajsit. Teksti është shkruar në 60 fletë letre me përmasa 18 x 13.5 cm, në osmanisht. Autori i veprës është i mirënjohuri poet azerbajxhanas Muhamed Fuzuli i shek. XVI. Ndërsa dorëshkrimi ynë është një kopje e kryer nga Ismaili, i biri i Hysejnit, në vitin 1219 hixhri / 1803 sipas kalendarit Gregorian. Varianti i Fuzuli-ut është ripërpunim i një historie të mëhershme shkruar nga autori tjetër azerbajxhanas, Nizami Ganjavi i shek. XII-XIII, i cili e pati shkruar veprën në persisht.
Ç’na thotë historia? Lejla dhe Kajsi ishin dy të rinj që u dashuruan në shkollë. Hiret e Lejlës e frymëzuan Kajsin të shkruante pareshtur poezi për të. Më pas kërkoi dorën e Lejlës në martesë, por babai i saj nuk pranoi. Atëherë Kajsi, i marrosur prej dashurisë, u largua nga shtëpia e prindërve dhe shkoi të jetonte në vende të egra, bashkë me kafshët e pyllit. Prej kësaj marrosjeje poeti e mbiquan Mexhnun – i çmendur.

Ndërkaq, babai e martoi Lejlën me një burrë që zgjodhi ai vetë. Lejla nuk e konsumoi martesën dhe herë pas here takohej fshehtas me Mexhnunin. Të dy i recitonin njëri-tjetrit poezitë që i kishin thurur dashurisë së tyre. Vitet kaluan, të dashuruarit nuk u takuan kurrë, dhe Lejla vdiq e para nga marazi. Kur mori vesh lajmin, Mexhnuni shkoi tek varri i saj dhe vdiq edhe ai, prej pikëllimit të thellë. Sepse e vetmja që mundej t’ia shëronte brengën ishte Lejla.
Sigurisht, Eric Clapton nuk vdiq. Të paktën deri sot është gjallë. Ndërkaq, sa herë t’ju bjerë rasti ta dëgjoni atë këngë, ia vlen të kujtoni se në Tiranë, në Arkivin Qendror Shtetëror, ruhet një kopje e tekstit nga i cili është frymëzuar kënga.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


