Drejtësia

Lehtësuan dënimin për Dritan Dajtin, Gjykata e Lartë kthen në Apel për rigjykim 3 gjyqtarët

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit për krime të rënda që pushonte hetimet e nisura ndaj 3 gjyqtarëve që lehtësuan dënimin për Dritan Dajtin, autorin e vrasjes së 4 policëve në gusht 2009.

Trupi gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici prishën vendimin e Apelit të GJKKO të datës 27 nëntor 2020 dhe vendosën rikthimin e çështjes në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese.

Në këtë mënyrë hetimet ndaj 3 gjyqtarëve Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj do të vijojnë.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e 4 punonjësve të policisë dhe ndodhet në qeli prej vitit 2008.

Por, në shkurt të vitit 2019 një trupë gjykuese pranë Apelit vendosi të rrëzonte dënimin me burgim të përjetshëm për Dajtin duke e dënuar atë me 25 vite burg.

Tre gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj në shumicë, vendosën të pranojnë kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, çka uli dënimin e tij me 1/3. Ndërsa dy gjyqtarët e tjerë në pakicë ishin Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Në operacionin e gushtit 2009 për arrestimin e Dritan Dajtit, mbetën të vrarë efektivët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari.

Në atë kohë, Dajti kërkohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë