Futboll

Legjionarët kuqezi, ‘lokomotivë’ e klubeve të tyre në Europë dhe jo vetëm!

Nga Gazeta ‘Si’– Legjionarët kuqezi kanë mbyllur një tjetër fundjavë shumë pozitive pasi ndihmuan klubet e tyre që të arrijnë suksese apo edhe të evitojnë humbje falë golave dhe paraqitjeve të tyera shumë të mira.

Me mjaft interes është pritur debutimi i mesfushorit të Kombëtares, Nedim Bajrami, tek Rejnxhers i cili ishte protagonist në duelin ndaj Dunde, takim që skuadra e tij e fitoi me shifrat 3-0. Bajrami e nisi sfidën si titullar, teksa dhuroi një asist fantastik për Desers, në minutën e 66-të, me sulmuesin që nuk fali duke vulosur shifrat në 3-0.

Myrto Uzuni është rikthyer në versionin “bomber” te Granada. Talenti beratas gjeti golin e dytë radhazi në kampionat me fanellën spanjolle. 29-vjeçari arriti të tunde rrjetën në minutën e 77-të të sfidës ndaj Malagës, duke i dhënë avantazhin 2-1 skuadrës së Granadës.

Vetëm 2 ndeshje me fanellën e Bodrumspor, i kanë mjaftuar Taulant Seferit për të gjetur rrugën e rrjetës. Djaloshi nga Kumanova, tundi rrjetën në minutën e 27-të të sfidës përballë Hatayasporit, duke i dhuruar avantazhin skuadrës së tij, teksa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1 falë golit të Seferit. Titullar në këtë sfidë për skuadrën e Bodrumspor, aktivizohet edhe Arlind Ajeti.

Odise Roshi ka gjetur sërish rrugën e rrjetës me fanellën e Erzurumspor, në duelin e tij të pestë me ekipin e ri. Mesfushori fierak shënoi në minutën e 67-të, duke u dhënë avantazhin të tijve, në duelin ndaj Erokspor. Ky ishte goli i dytë i Roshit në këtë sezon, duke u shndërruar në një lider te skuadra e tij, që militon në Ligën e parë turke. Armando Sadiku është shndërruar në një makineri golash te skuadra e Goa-s, në Indinë e largët.

Bomberi shqiptar gjeti rrugën e rrjetës në duelin ndaj Mohamedan, takim që përfundoi në barazim 1-1. Kjo ishte ndeshja e gjashtë radhazi, që shqiptari shënon me ekipin e tij të ri, duke përfshirë një ndeshje kupe dhe 3 miqësore. Kujtojmë që Sadiku u transferua te Goa gjatë kësaj vere. Paraqitje shumë të mirë ka bërë në këtë fundjavë qendrëmborjtësi i Empolit Adrian Ismajli. Skuadra e tij luajti me Kaliarin ku mori fitore me rezultatin e pastër 2-0.

Mesfushori i Kombëtares, Ylber Ramadani, “rrëmbeu skenën” në minutën e 32-të, në duelin mes Leçes dhe Parmës, duke dhuruar një asist brilant nga mesfusha për Dorgu, i cili zhbllokoi sfidën. Ramadani u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 31-të, ndërkohë që 1 minutë më vonë, u shndërrua në protagonist.

Në Rusi Rubin Kazani barazoi ndaj CSKA-së së Moskës, me rezultatin 1-1. Vlen të theksohet fakti se te skuadra e Rubinit, aktivizoheshin nga minuta e parë 3 futbollistë shqiptarë, bëhet fjalë për Marvin Çunin, Veldin Hoxhën dhe Mirlind Dakun, me këtë të fundit që i ishte besuar edhe shiriti i kapitenit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë