Lojëra me Dore

Legjendari Pau Gasol tërhiqet nga basketbolli, 18 sezone në NBA dhe shumë trofe

Pau Gasol ul flamurin. Basketbollisti i famshëm spanjoll, i aftë për të qenë hero në vendin e tij dhe në NBA, të shkëlqente sa herë që ngjitej në skenë, ka vendosur t’i japë lamtumirën koshit.

“Po tërhiqem nga basket pro’, – ka thënë Gasol në një konferencë shtypi të organizuar në Barcelonë. – Është një vendim i vështirë pas shumë vitesh, por edhe një vendim që më sjell ndryshime, nga të cilat duhet të përfitoj”. Gasol e mbyll pas 21 sezonesh si profesionist, 18 nga të cilët në NBA, ku ka qenë një fenomen, një pikë referimi. I jashtëzakonshëm në fushë, por më shumë jashtë saj, me një koleksion trofesh që tregojnë triumfet, nga 2 titjt në basketbollin amerikan te tre medaljet olimpike.

Gasol ne konference per shtyp, ku zyrtarizoi terheqjen. Gazeta Si, 5 tetor 2021

“Kam fituar kupa dhe medalje, por më e rëndësishme është të shfrytëzosh momentin, ta bësh me njerëzit që do. Është ajo që dua të bëj tani e në vazhdim. Nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim. Mbyllet këtu karriera si lojtar, por hapen rrugë të tjera dhe jam i bindur se do të kem shanse të tjera për të bërë diçka të rëndësishme”, – ka shtuar më tej spanjolli.

Pau ka qenë shumë i emocionuar, me zërin që i dridhej gjatë konferencës në disa momente. Kështu i ndodhi teksa falënderonte ata që e kanë mbështetur në karrierë, teksa fliste për vëllanë Mark dhe më shumë akoma kur fliste për Kobi Brajant: “Do doja të ishte këtu, – tha Gasol para se ta ndërpriste fjalën, pasi e kishte të pamundur të vazhdonte. – Jeta është vërtet e padrejtë, Kobi na mungon shumë, ashtu si dhe vajaza e tij Gigi. Më ka mësuar si të isha një lider më i mirë, çfarë do të thoshte vërtet të jesh një fitues. E konsideroj vëllanë e madh”.

Gasol foli për më shumë se gjysmë ore dhe u duartrokit shpesh, sidomos kur mallëngjimi e vinte poshtë. Ai foli edhe për të ardhmen. Spanjolli është anëtar i CIO-s, i zgjedhur gjatë Lojërave Olimpike të Tokios në komisionin e sportistëve. Është gjithashtu ambasador i Barcelonës së tij. Gasol ka edhe një fondacion të vetin. Tani, në moshën 41-vjeçare, pasi ka mbyllur një kapitull të madh të jetës së tij, dëshiron të hapë një tjetër.

Gasol me ekipin e Spanjes. Gazeta Si, 5 tetor 2021

Pau Gasol e nisi karrierën te Barcelona, në 2001-shin zbarkoi në NBA, te Memfis. Ai u rrit shumë dhe u bë simboli i “Grizlies”, që në shkurt të 2008-ës e shitën te Lejkërsat. Në Los Anxheles, dyshe me Kobi Brajant, fitoi unazën në 2009-ën dhe 2010-ën, duke qenë ndër më të mirët në qarkullim për inteligjencën dhe talentin. Ka luajtur edhe për Çikagon, San Antonion dhe Milluokin, duke regjistruar 1226 ndeshje në 18 sezone, me një mesatare prej 17.2 pikësh për ndeshje.

U largua nga NBA-ja për dëmtim në nëntor të 2019-ës, duke lënë Portlandin. E mori veten për të realizuar ëndrrën e fundit, Olimpiadën e Tokios, e pesta në karrierën e tij legjendare. Spanjolli më i mirë i të gjitha kohërave, pa asnjë dyshim. Ai e çoi basketbollin spanjoll në një tjetër nivel, duke fituar Botërorin e 2006-ës dhe Europianët e 2009-ës, 2011-ës dhe 2015-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë